Në veri numërohen mbi 58 mijë votues

Prishtinë | 18 Pri 2019 | 16:55 | Nga Ekonomia Online

Me 19 maj do të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore më 19 maj.Ndonëse sot në ora 00:00, përfundon aplikimi për kandidat apo parti politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit, vetëm PDK-ja ka aplikuar, ndërkaq edhe pse Lista Serbe ka deklaruar se do të marrë pjesë në këto zgjedhje akoma nuk ka aplikuar në KQZ.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka treguar për lajmi, edhe për përgatitjen e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Ai ka thënë se përgatitjet janë duke shkuar sipas planifikimeve.“Në përmbushje të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Këto përgatitje janë duke shkuar sipas planifikimeve”, ka treguar ai.

I pyetur se sa është numri i votuesve dhe sa qendra votimi do të jenë në këto katër komuna, Elezi ka thënë se numri i votuesve është më i madh në krahasim me zgjedhjet e vitit 2017.Sipas tij, 58 mijë e 520 votues do të kenë mundësi që të votojnë në 44 Qendra të Votimit.“Sipas të dhënave jo-përfundimtare, numri i votuesve në këto katër komuna është: 58 mijë e 520 votues, apo 1 mijë e 507 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet Lokale të vitit 2017.

Mbështetur në të dhëna jo-përfunditmare numri i votuesve në Mitrovicën e Veriut është 22 mijë e 242, në Zubin Potok 8 mijë e 612, në Leposaviq 18 mijë e 390, dhe në Zveçan 9 mijë e 276. Të gjithë këta votues do të jenë të shpërndarë në 44 Qendra të Votimit”, ka deklaruar Elezi për lajmi.net.Ndërkaq sa i përket vëzhguesve në këto zgjedhje, Elezi ka thënë se akoma nuk ka numër përfundimtar, pasi që sipas tij, afati për dorëzimin e akreditimit për vëzhgues është i hapur deri më 12 maj.

“Ne ende nuk e kemi numrin përfundimtar të vëzhguesve pasi akoma nuk është përmbyllur kjo fazë. Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve ka filluar më 9 prill dhe do të përmbyllet më 12 maj në orën 18:00”, ka treguar ai.

Elezi ka thënë se të gjitha subjektet politike të certifikuara, Ogranizatat joqeveritare, Organizatat Qeveritare dhe Ndërqeveritare, Organizatat Ndërkombëtare të Specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe mediat mund të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për t’u akredituar për vëzhgimin e zgjedhjeve.

“Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i vëzhgojnë këto zgjedhje”, ka deklaruar Elezi.Kujtojmë se katër kryetarët e këtyre komunave veriore, më 27 nëntor të vitit 2018, kanë dhënë dorëheqje, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia.

Sot, qeveria ka ndarë 471 mijë euro për KQZ-në, për organizimin e zgjedhjeve në katër komunat veriore, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme