Anëtari i bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Shkumbin Hyseni, tha se në Kosovë operojnë dy trena ilegalë, e institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për ndalimin e tyre, përkundër kërkesës së vazhdueshme për ndalim, raporton Ekonomia Online.
Ai për këtë çështje foli gjatë raportimit në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis Kuvend, kur u pyet nga kryetari i komisionit, deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu.
“Sipas informatave që i kemi dhe kemi edhe fotografi që ka trena që operojnë ilegal në veri. Janë trena të udhëtarëve që operojnë në vazhdimësi deri në Mitrovicën e veriut, që nisën nga Kraleva dhe anasjelltas. Nuk kanë licencë dhe nuk kanë aplikuar asnjëherë dhe çdo herë e kemi ngritur shqetësimin se aty është duke u bërë transport ilegal, i cili mund ta rrezikojë jetën e njerëzve apo udhëtarëve”, tha ai.