Mustafë Hasani anëtarë i bordit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, ka thënë se humbjet në pjesën veriore për energjinë e shpenzuar, brenda një muaji arrijnë në 2.5 milionë euro. Ai po ashtu ka thënë se ka borxhe nga mospagesa e rrymës, por që kanë filluar të paguhen, raporton Ekonomia Online.
Këto deklarata ai i ka bërë gjatë raportimit të Raporti vjetor financiar të KOSTT-it për vitin 2018-2019 në Komisionin për Buxhet dhe Financa.
Anëtari i Komisionit, Gazmend Abrashi ka pyetur nëse në pjesën veriore po paguhet, energjia e shpenzuar.
Hasani është përgjigjur se atë pjesë e furnizojnë me rrymë dhe se ka borxhe, por që kanë filluar të kthehen.
“Pjesën Veriore e furnizojnë me rrymë dhe ka borxh, por që po kthehen ato. Humbjet në veri arrijnë 2 milionë e gjysmë brenda muajit”, tha ai.
Ndërsa, Mimoza Kusari-Lila, e ka pyetur atë për përgjegjësin e KOSTT-it me mungesën e rrymës në kryeqytet gjatë ditëve të fundit, për të cilën Hasani ka thënë se ata nuk kanë pasur asnjë përgjegjësi, pasi mungesa e energjisë elektrike ka ardhur si pasojë e një prishje.
Po ashtu Kusari-Lila e ka pyetur nëse ata janë pyetur rreth studimit të fizibilitetit në liqenin e Ujmanit.
Kadri Kadriu nga KOSTT-i, ka thënë se ata nuk kanë qenë pjesë e këtyre diskutimeve. Ai ka thënë se Hidrocentrali i Ujmanit është pronë e Ibërlepencit.
” Ne s’kemi qenë pjesë e diskutimeve që janë bërë në Ëashington. Çka është në kompetencat tona është lëshimi i një fature të prodhimit të energjisë, sa ka sjellë në sistem dhe në cfarë kohe”.
Anëtarët e Komisionit kanë votuar buxhetin për KOSTT-in.
Në këtë Komision është shqyrtuar dhe miratuar edhe Raporti Financiar i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE)
Kryesues i Bordit të ZRrE-së, Arsim Janova, tha se Auditori ka dhënë opinion kualifikues për pasqyrat financiare.
“Zyra e Auditorit ka dhënë opinion të kualifikuar lidhur me pasqyrat financiare të paraqitura nga ne dhe ka lëshuar vetëm një rekomandim për ZRrE-në”, tha ai.
Yllza Hoti anëtare e Komisionit, ka pyetur se pse ka rritje të shpenzimeve për trajtimin e stafit në ZRrE. Kurse Janova ka thënë se kjo zyre i kushton shumë rëndësi natyrës së këtyre trajnimeve.
“Ne kemi finanuar një zyrtar me shumën prej 4000 euro për një trajnim andaj është parë një rritjë krahasuar me vitin paraprak” është shprehur Janova.
Deputeti Fatmir Rexhepi e ka konsideruar korrekt prezantimin e drejtorit lidhur më raportin e Auditorit dhe nuk ka pasur rekomandime.
Ndërsa, Hekuran Murati ka pyetur nëse pritet të ketë ngritje të çmimit të energjisë elektrike.
Kurse, Janova ka thënë se deri tash nuk pasur.
“Deri më tani nuk ka pasur rritje dhe duhet analizë për të ditur nëse do të ketë”, ka thënë Janova.
Ndërsa anëtari i Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AREKP), Hazir Hajdari gjatë paraqitjes së raportin Financiar foli për problemet që po ballafaqohet ky institucion.
Ai tha se po përballen me mungesë të stafit dhe po ashtu me probleme financiare.
“Kemi pranuar raport të pakualifikuar nga Zyra e Auditorit. Ska asnjë rekomandim nga Auditori për ne”, tha ai.
I pyetur nga Kusari-Lila, për borxhet që kanë RTK dhe Telekomi ndaj AREKP-it, Hajdari tha se përkundër që u kanë ofruar mundësinë me paguar më këste, ato nuk po arrijnë të shlyejnë borxhin.
“Ne ju kemi shtyrë disa herë pagesat nga 6 muaj, Telekomit e RTK-së, ju kemi dhënë mundësi me paguar edhe me këste. Por ata nuk po kanë mundësi për kryerjen e këtyre obligimeve” ka thënë Hajdari.
“Kemi kërkuar rritje stafit. Edhe për shkak të kodit të ri. Për shkak të pandemisë nuk kemi zhvilluar procedura për shpallje pozitash. Pak janë 40 e 50 punëtorë. Çdo zyrtar tek ne i ka nga dy ose tre funksione. Duhet numër shtesë i inxhinierëve e juristëve.” është shprehur Hajdari.
Votimi i raportin financiar për ARKEP-in, është lënë të votohen në seancën e Kuvendit.