Në vitet 2013 – 2019, rritja ekonomike ka qenë mesatarisht 4.7 për qind, në qeverisjen Kurti ka rënie

Prishtinë | 26 Dhj 2023 | 23:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur për rritjen ekonomike dhe rritjen e inflacionit në vend.

Sipas tij, nga viti 2013 deri në vitin 2019, rritja ekonomike ka qenë mesatarisht 4.7 për qind, ndërsa nga 2022 deri më 2023, rritja ka qenë mesatarisht 3.7 për qind.

“10 vitet e kaluara, rritja mesatare ka qenë 4.7 për qind, ndërsa në dy vitet e fundit mesatarja është 3.7 për qind”, deklaroi Abdixhiku në Rubikon të Klan Kosova.

Ai tha se kjo rritje nuk është e mjaftueshme, pasi, siç u shpreh kreu i LDK-së, rritja duhet të jetë 6 për qind.

Tutje, ai foli edhe për inflacionin, teksa tha se sot, për t’i pasur 106 euro vlerë para të para tre viteve, duhet t’i kesh 127 euro.

“Sot, për me i pas vlerë 106 euro sa kanë bërë para tre viteve, duhet t’i kemi 127 euro. Po flasim në mesatare, ku futen edhe pushimet, investimet… nuk po flasim për shportën bazike të konsumatorit, sepse ajo është mbi 60%”, tha ai, raporton Klankosova.tv.

Ndër të tjera, Abdixhiku foli edhe për deficitin tregtar, për çka tha se aktualisht është 5 miliardë euro.

“Kemi folur shumë se si paraja po shkon jashtë Kosovës. Kur kanë ardhë këta në qeveri, deficiti tregtar në Kosovë ka qenë 2.8 miliardë, por të themi se ka qenë 3 miliardë para pandemisë. Sot është 5 miliardë! 2 miliardë euro më shumë ikin për tre vitet e fundit gjatë kësaj qeverisjeje. Kjo është e pariparueshme”, tha kryetari i partisë opozitare, LDK.

Ai po ashtu foli edhe për energjinë elektrike, për çka ka pasur ditëve të fundit shumë ankesa nga qytetarët nëpër rrjete sociale.

Tha se çmimi i rrymës në këto tri vite është rritur tre herë.

“Sa i përket energjisë elektrike, unë vendosa të hyj të shikoj bursën ndërkombëtare. Sa ja u merr mendja se ka qenë çmimi i energjisë elektrike në tregun botëror sot një vit? 300 euro! A e dini sa është sonte? 20 euro! Ne tarifat i kemi me 300 euro sot. Ndërsa sot energjia elektrike në tregjet botërore është 20 euro për megavat. Tri vite të mos bësh asnjë hap në resurse të reja energjetike, humbe fondet amerikane … sot e kishim pas centralin me gaz afër përfundimit… por prapa kësaj tregtie energjetike qëndron një akuzë e rëndë e një njeriu ambasador që është i përfshirë në transaksion të energjisë energjetike, që si ambasador ka bërë ndërmjetësime për shitblerje energjetike pa pasë asnjë punë në atë drejtim, dhe për këtë punë ka marrë një pagesë në mes të Prishtinës. Ky ambasador ka tërhequr 1.4 milion euro midis Prishtinës. Është mafi e madhe energjetike”, deklaroi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Të ngjashme