Autoritetet zvicerane kanë bërë të ditur se tani fëmijët nën moshën 10 vjeçare mund të përqafojnë gjyshërit e tyre, sipas rishikimit të këshillave zyrtare për koronavirusin.
Shefi i Departamentit për Sëmundje Infektive në Ministrinë e Shëndetësisë Daniel Koch, ka thënë që shkencëtarët pohojnë se fëmijët e vegjël nuk e bartin virusin.
Sidoqoftë, ai thekson se këto takime duhet të jenë të shkurtra dhe nuk lejohet përkujdesja këta fëmijë gjatë gjithë ditës, raporton BBC.
Zvicra është një nga disa vendet evropiane që ka filluar t’i lehtësojë masat e izolimit.
Këtë javë, kopshtet dhe floktarët, janë lejuar t’i hapin dyert e tyre. Shkollat dhe dyqanet do të lejohen të rihapen brenda dy javësh.
Koch, në një konferencë shtypi këtë javë, ka thënë se këshillat origjinale për të mbajtur distancën midis fëmijëve dhe gjyshërve të tyre u bënë kur dihej më pak se si bartej koronavirusi.
“Fëmijët e vegjël nuk janë të infektuar dhe nuk mund ta bartin virusin pasi që ata thjesht nuk kanë receptorët për ta kapur sëmundjen”, ka thënë ai.