Komiteti Olimpik i Kosovës do të shënojë 6 prillin – Ditën Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe, ditë kjo e miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Asambleja e OKB-së, më 6 prill 2013 e kishte shpallur Ditën Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe duke u ndërlidhur me 6 prillin e vitit 1896, Ditën e hapjes së Lojërave Olimpike Moderne të mbajtura në Athinë të Greqisë.
Për dallim nga vitet e kaluara, këtë herë, shkaku i përhapjes së pandemisë së koronavirusit Covid 19 dhe masave të marra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, aktiviteti do të shënohet nga shtëpitë.
Nën motot “Rri n’shpi”, “Bëj Sport”, “Kënaqu”, KOK kërkon nga të gjithë sportistët, kontribuesit e sportit, federatat sportive, tifozët dhe qytetarët, të krijojnë foto dhe video atraktive me letër të bardhë.
#LetraeBardhë simbolizon dërgimin e mesazhit të paqes në botë.
Bëhu edhe ti pjesë e shënimit të kësaj dite! Bëjë foto ose video duke përdorur hashtagët si në vijim: #StayHome #DoSports #BeHappy #WhiteCard #WhiteCardKosova #April6.
KOK do të bëjë edhe përzgjedhjen e fotove dhe videove më të mira. Tri videot më të mira (video nuk duhet të jetë më e gjatë se 30 sekonda), do të shpërblehen me nga 300, 200 dhe 100 Euro, ndërsa tri fotot më të mira me 150 Euro, 100 Euro dhe 50 Euro.
Rregullat për të konkurruar për shpërblim:
– Të bëhet një foto ose një video kreative (10-30 sekonda) me letër të bardhë të një personi ose të familjes
– Fotoja ose videoja duhet të dërgohet në e-mail adresat: [email protected], [email protected]
– Fotoja ose videoja duhet të publikohet në profilet tuaja në Facebook ose Instagram, më datën 6 prill, duke përdorur hashtagët: #StayHome #DoSports #BeHappy #WhiteCard #WhiteCardKosova #April6.
– KOK e ka të drejtën e publikimit të tyre në rrjetet sociale
– 10 fotot dhe videot më të mira zgjedhen nga KOK, ndërsa tri vendet e para zgjedhen në bazë të numrit të ‘Like’, pas publikimit në faqet e KOK-ut.
– Afati i fundit për dërgimin e fotove dhe videove është data 6 prill 2020.Nga shpërblimet janë të përjashtuar anëtarët e BE të KOK dhe stafi i KOK
—