Kongresi i Berlinit dhe Konferenca e Ambasadorëve sollën vendimet e fuqive të mëdha, të kohës, kur krijuan krijesën e ndarë përfundimisht nga trugu i saj amë, të quajtur Kosovë!. Për hir të balanceve të kohës dhe kërkesave të ‘Nova Rusia’, Kosova si një fëmijë Arbëror/Shqipëtar, u la, tek mbretëria sllave e mëpas Jugosllavia. Jugosllavia, e madhe me trup, e dominuar nga Serbia, çdo herë e më shumë kuptonte se po mbante një krijesë që kërkonte ndasi e pavarësi sepse nuk e kishte të përbashkët gjuhën e as etninë. Në Jugosllavi mbahen mend dy periudha në veçanti, ajo e Aleksandar Ranković (vitet 1949 -1963) kur Shqiptarët ishin nën izolim, represion, burgime e deportime e cila periudhë kulmoi me protestat e 1968-tës; dhe periudha e viteve 70-ta dhe 80-ta, e sjelljeve stimuluese shoqërore të supozuara si kuptim i normales brenda ekzistencës të së përbashktës fiktive. Por, kjo sjellje, në sindromën Pitër Pan, shihet si krijesë që kishte trupin e madh por mendjen e një fëmije, në trajtim të Shqiptarëve si trup i huaj, ngase nuk lidhej në histori, gjuhë e etni. Aleksandar Vučić, përgjatë regjimit Serb të pas-suprimimit të statusit të Kosovës si njësi federative (sipas kushtetuës të 1974-tës) e ish-Jugosllavisë, ishte pjesë e aparatit shtetëror vrasës, dhunues e deportues të Shqiptarëve. Andaj, si Aleksandar Ranković i Jugosllavisë dhe Aleksandar Vučić i Serbisë, kundrejtë Shqiptarëve në Kosovë, si dikur dhe tani, të dy me të njejtën psikopatologji sipas sindromës, janë burrat që nuk janë rritur kurrë, sepse nuk arritën t’a kuptonin fuqinë reale të Shqiptarëve të një Kosove të vogël brenda një Jugosllavie të “madhe”.
Mëvetësia në karakterin historik të saj. Kosova me mëvetësinë e saj, përkundër vuajtjeve historike, vështirësive në shtet-bërje dhe sfidave në rritjen e shtetësisë ndërkombëtarisht, sërish shihet si shpresë e mundësi. Bota vonë e pati kuptuar se Kosova me Serbi nuk mund t’a kenë të njejtën trashëgimi veçse të ndara në fqinjësi, prandaj dhe, lufta çlirimtare kulmoi me intervenimin e NATO-s për paqe e siguri. Sot, ndërvarësia shtetërore rajonale e Europiane n’a mundëson t’i adresojmë sfidat përmes valutës së pranueshmërisë mbi barabarësinë, si princip ndërkombëtar.
Historia jonë e vonshme, tregon hapat e përpjekjeve shekullore për çlirim, me maratonën e vrapimit nëpër pengesa duke e kaluar me Rambujen! me bisedimet Ahtisaari! me shpalljen e pavarësisë, që u konfirmua nga GjND-ja; kështu Kosova me trup të vogël tregoi vullnet të madh e të palëkundur politik se ku dëshiron të jetë si gjeopolitik dhe gjeostrategji me përcaktim properëndimor. Padyshim, mbështetja nga pjesa e kombit amë dhe aleatëve tanë, është themeli i fuqisë së partneritetit edhe mbi ecurinë e dialogut me Serbinë. Përgjatë një procesi mbi një dekadësh dialogimi, me konsistencë për një epilog të pranuar nga palët, negociatat e paqes nuk u zhvilluan kurrë drejtpërdrejt ndërmjet dy qeverive respektive, pa lehtësimin dhe mbikëqyrjen e drejtëpërdrejtë të Unionit Europian. Dhe e gjitha, u reduktua në “normalizim” dhe jo në Traktat për Paqe!. Ndërkohë që, rreziku ndaj vitalitetit në rajon nuk është zbehur asnjëherë nga ‘Nova Rusia’ që qëllimi mbetet ndikimi i plotë në rajon dhe jo vetëm në Serbi, duke minuar një stabilitet të përhershëm ndërmjet kombeve, me praninë, përqëndrimin për të destabilizuar shtetet në Ballkan në veçanti.
Epërsia në përparësi të qëllimeve të ‘Nova Rusia’.
Ekspansionizmi në konturet e epërsisë së Rusisë sovjetike dhe post-sovjetike, përmes konceptit të ‘Nova Rusia’, ka qartësuar dikur por edhe sot ndikimin në marrëdhëniet ndërkombëtare duke e sfiduar rendin ndërkombëtar, duke mos respektuar sovranitet territorial shtetëror e as të drejta të njeriut, të mbrojtura e garantuara me ligj ndërkombëtar. Zhvillimet si; aneksimet e dy territoreve të Gjeorgjisë (Osetia dhe Abkhazia) më 2008, aneksimi i territorit të Ukrainës (Krimesë) më 2014, e që rezultoi me zhvillimin e luftës më 24 Shkurt, 2022 ngritja dhe funksionalizimi i “Qendra Humanitare Ruso-Serbe” në jug të Serbisë me kapacitete mbështetëse edhe të grupit Wagner, apo kompanitë e naftës e gazit që i kemi në rajonin tonë si Gazprom, Lukoil etj., që i japin donacione milionëshe kishës serbe ortodokse, këto, janë veçse përpjekje Ruse për rikonfirmim mbi hegjemoninë rajonale saktësisht sipas konceptit të ‘Nova Rusia’. Kështu, duke i mbajtur në horizont veprimet e saj, ruan ndikimin dhe realizon konceptin duke e ripërcaktuar fuqishëm rolin e saj në politikën e rajonit tonë, rajoneve fqinje si në Europën Lindore, por edhe në Azinë Qëndrore, Perëndimore, e Jugperëndimore. Prandaj, angazhimi i saj dinamik dhe gjithnjë në zgjerim po e ribënë konceptin e ‘Nova Rusia’. Për ne dhe sigurinë tonë rajonale, shqetësuese është poashtu grupi Wagner, e që mbetet dubioze lidhja e paqartë ligjore me shtetin Rus. E që Rusia, nëpërmjet Wagner po operon tek shtete me paqëndrueshmëri politike, kriza sociale e ekonomike duke ndjekur e realizuar konceptin e ‘Nova Rusia’. Një tjetër komponentë e rëndësisë së veçantë është lufta hibride apo sulmet e herë-pas-herëshme me dezinformata, përmes mediave dhe rrjeteve sociale në përhapjen e porosive proruse dhe antiperëndimore.
Meqenëse, ka një tendencë në rritje për shkujdesje lidhur me rendin ndërkombëtar liberal, të bazuar në norma e kompromise, atëherë, Kosova e Shqipëria si një komb i tkurrur historikisht, duhet pasur një vëmendje të shtuar për të ruajtur substancën kombëtare edhe në vendet fqinje ku jetojnë bashkëkombasit, duke i garantuar të drejtat e njeriut dhe përcaktimin politik properëndimor.
Politika shqiptare andej e këndej kufirit, për shkak të rrethanave të kohës, mund edhe t’i ndryshoj gjethet, por t’i ruaj rrënjët.
Autori është njohës i Marrëdhënieve Ndërkombëtare