Dolores Aveiro, nëna e Cristiano Ronaldos, ka folur për të ardhmen e 33 vjeçarit, që duket të jetë larg Real Madridit.
Në një intervistë për SFR Sport, pas finales së Champions League në Kiev, Dolores Aveiro la të kuptohet se nëse Ronaldo nuk vazhdon me Realin, do të dëshironte kthimin në “Old Trafford” para transferimit në PSG.
“Më pëlqen shumë Parisi, kam qenë disa herë. Hera e fundit ishte kur djali im fitoi Topin e Artë. U ndjeva shumë krenare. Sa herë që shkoj në Francë, të gjithë më trajtojnë mirë”, tha fillimisht Dolores Aveiro.
Kur u pyet nëse e ardhmja e djalit është në Paris, ajo nuk deshi të flasë shumë për këtë, por la të kuptohet se nëse CR7 do të largohet nga Reali, ajo preferon kthimin te Unitedi.
“Të them të vërtetën, nuk ka shumë rëndësi, por do të preferoja që ai të kthehej në Manchester”, deklaroi nëna e Ronaldos.
E ardhmja e Ronaldos u vë në diskutim natën kur Reali fitoi titullin e tretë me radhë të Ligës së Kampionëve, të 13-tën në histori. “Ishte shumë bukur të luaja për Real Madridin, ditëve në vazhdim do të flas dhe do të shpjegoj gjithçka…”, ishte shprehur Ronaldo në Kiev.
Të gjithë po presin me padurim përgjigjen e Ronaldos, ndërsa të shumta janë tifozët e Los Blancos që në anketat e mediave spanjolle shpresojnë të jetë përgjigje pozitive, pasi nuk duan që ylli i skuadrës, që ka shkruar histori e ka thyer rekorde të shumta, të largohet nga “Santiago Bernabeu”.
Ronaldo e mbylli sezonin e nëntë në Madrid, ku ka fituar shumë tituj, veçuar katër herë Ligën e Kampionëve dhe katër çmime individuale “Topi i Artë”.
Ai ka shënuar 450 gola në 438 paraqitje.