Sëmundja e kancerit në gji, i dha asaj kthesën më të madhe që mund t’i japë jeta, një betejë nga e cila fitorja nuk është e sigurt, por që mosdorëzimi do t’i jepte dhuratën më të bukur.
Disa vite më vonë përveç shërimit , do të shihte edhe se si vajza e saj do të shënonte një ngjitje spektakolare duke u bërë një yll botëror.
Nëna e yllit ndërkombëtar Rita Ora, Vera Sahatçiu Ora është një nga të mbijetuarat e sëmundjes së kancerit të gjirit.
Ajo e ka përshkruar këtë periudhë të jetës si një sprovë jo të mirë, por që përkrahja e më të afërmve dhe qetësia me veten ishin çelësi me të cilin ajo i bëri ballë sëmundjes deri në fund.
Në një intervistë për Telegrafin, nëna e këngëtares Rita Ora ka treguar historinë e saj të suksesit, e cila mund të jetë frymëzuese për këdo që po përballet me një betejë të tillë.
“Ka qenë një shok i papritur se në ato momente nuk mendon se do të prekesh nga kjo sëmundje e tillë. E keqja është se gjithë jeta të ndryshon menjëhere dhe fillova ta pyes veten a do të mbijetoj? Posaçërisht mendoja për efektin e sëmundjes në familjen dhe fëmijët e mi. Mirëpo fatmirësisht ishte në fazën fillestare dhe pata fatin. Ka qenë lajm i vështirë për të gjithë, mirëpo e kam pas përkrahjen e bashkëshortit dhe familjes, dhe ndërhyrjen e menjëhershme për të gjitha masat e duhura për trajtim, që në rastin tim fatmirësisht rezultoj me sukses.Trajtimet të cilat mora për këtë sëmundje kanë qenë të gjata dhe të vështira, u fokusova diku tjetër në mënyrë që ta largoja vëmendjen prej sëmundjes. Në vazhdimin e studimeve për përfundimin e diplomës si doktoreshë, në Angli. Kam kaluar provimin shtetëror gjatë trajtimit dhe kjo më bëri krenare për suksesin tim personal”, u shpreh Vera Ora.