Mihrije Daçaj, është e bindur se vrasësi i djemve të saj, Binak dhe Reshat Daçaj, është Millosh Pleskoviq. Mendim të njëjtë ndan edhe avokati i palës së dëmtuar, Gent Gjini, raporton Ekonomia Online.
Pas përfundimit të seancës gjyqësore fillestare, ka deklaruar për media se vrasësi kryesor është vetë Pleskoviq, ndërsa sipas saj vrasja është kryer diku në male të Prizrenit.
“Mi kanë mbyt dy djemtë si kam pa nëna më. Në mal kanë shku, ‘Miki’ mi ka mbyt në mal më kanë mbet një javë ditë. As nuk i kam pa është dashtë në tokë mi shti. Ky është ‘Miki’. Tash po thotë jo, kur i kam pa krejt të grithur krejt gjake”, tha Daçaj.
I bindur në fajësinë e tij, është shprehur edhe avokati i familjes Daçaj, Gent Gjini. Ka thënë se i akuzuari është përfshirë në kryerjen e krimeve gjenocidale.
“Është një rast tragjik sepse kemi të bëjmë me një profil të një krimineli që ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në kryerjen e krimeve gjenocidiale në mënyrë makabre ku si në aktakuzë, personi është i involvuar në prerjen e gjymtyrëve dhe mbytjen e fëmijëve të zonjës në fjalë. E sot doli në seancë gjyqësore, i njëjti u pa se kishte një arrogancë nga mënyra e paraqitjes, fizionomia e tij tregon se është kryes, kriminel. Ne kërkojmë nga ana Gjykatës që në ditët në vijim të dal në procedurë të rikonstruimit të vendit të ngjarjes dhe të shikohet vendi se si është bërë ky krim. Për ne gjithmonë është e pa pranueshme që ky kriminel po gjykohet me ligjin e Jugosllavisë, e ligji i Jugosllavisë ka paraparë dënime minimale. Minimumi i veprës penale në kohë të Jugosllavisë për kryerjen e krimeve ndaj popullatës civile është 5 deri në 20 vjet. Ne gjithmonë do të luftojmë për më të mirën që ky kriminel të dënohet dhe të shpallet fajtor nga ana e Gjykatës”, u shpreh avokati, Gent Gjini.