U fol e u përfol një ditë, ja dy, postuam dhe shpërndamë lajmin që nëna vdiq! Nënat nuk kanë emër, janë thjesht nëna.
Nëna nuk vdiq nga mungesa e energjisë elektrike. Këtë e di me siguri.
Por të kalojmë te rëndësitë e ditës:
Kemi luftë partish, e brenda partive, miltantë që hidhen në zjarr për kryetarë të këtyre partive edhe pse në shtëpinë e tyre mungojnë nevojat thelbësore. Ndoshta prandaj dalin ashtu. I humburi nuk ka ctë humb! Kjo duhet të jetë motoja motivuese. Nëna mund të ketë vdekur dhe nga ky teatër kufomash politik që flasin sikur faji i gjendjes në të cilën ndodhemi vjen nga natyra dhe jo nga vetë ata. Njeriu vdes dhe nga marazi!
Numbeo e ka cilësuar Shqipërinë të parafundit në Europë për cilësinë e shërbimeve shëndetësore në botë. Ngushëlluese! Nëna mund të kishte vdekur dhe nga kjo!
Besimi ndaj institucioneve vazhdon dhe bie dhe për këtë më shumë ankohen politikanët. Ironike dhe paradoksale! Sikur e presin funksionimin real te institucioneve që drejtojnë vetë nga ne. Pra, që nëna vdiq mund të jetë dhe prej faktit që fajit nuk i është gjetur fajtori.
Dikush, diku nga Myzeqeja kishte shitur lopët dhe po priste shancin të ikte. Nuk ishte i vetmi. Fermerët nuk po gjejnë zgjidhje. Pra, nëna mund të kishte vdekur dhe sepse nuk kishte se ku të ikte.
Drita nuk ka në shumë zona! E vërtetë! Po dhe në pastë kush e paguan atë faturë të kripur? Shteti na kursen duke na prerë linjat furinizuese me energji. Ne si shoqëri nuk e ndihmojmë njëri tjetrin të përballojmë të ftohtin e acartë që sjell me vete vetmia. Pra, nëna mund të ketë vdekur nga vetmia.
U dëgjuan dhe dëgjohen të shtëna në Bllok, Komunë të Parisit, Astir, Vlorë, Elbasan e kudo. Quhet vetgjyqësi dhe në këtë furi inatesh vriten dhe të pafajshëm. Pra, nëna mund të kishte vdekur dhe nga një plumb qorr.
Diku aty tek 5 Maji po prishen banesa. Histori e njohur. Shteti flet me fakte. Meqënëse ne nuk jemi shtet faktet tona hidhen poshtë me një vendim të ri që shfuqizon atë që na ka bërë pronar. Fis i madh shteti. Kush guxon ta sfidojë? Nëna sdo kishte fuqi. Pra, nëna mund të kishte vdekur dhe nga hedhja në rrugë.
Nëna mund të kishte kërkuar dhe ndihmë në rrjetet sociale dhe do ndjente vërshimin e urrejtjes dhe mallkimeve pikërisht të atyre që sot po iu dhimbset. Do ti bëheshin akuza mostruoze, do ti zhbirilohej e kaluara, e tashmja e ardhmja. Një mëkat do ta kishte dhe nëna. Atëherë si shoqëri do ta vinim përpara fajeve të saj që i kanë sjellë këtë gjendje duke e varrosur për së gjalli. Por, nëna iku vetë!
Se nëna iku nga kjo botë duke na lënë me turp, duke na kujtuar gjendjen e mjerushme në të cilët jemi ne të gjallët pa jetë.
Unë nuk e di pse nëna iku, por di mirë që mirësia jonë iku me të. Vetëm qeni qëndroi aty se ai nuk e harron dorën që e ushqen. Ndryshe nga ne…