Ish-drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, e ka pranuar fajësinë lidhur me akuzën për veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, duke thënë se për shkak të një keqkuptimi nuk e ka raportuar saktë pasurinë për vitin 2020.
Gjuriq ngarkohet se nuk ka paraqitur saktë në Agjencionin kundër Korrupsionit (AKK) të hyrat për periudhën 1 janar- 31 dhjetor 2020, duke deklaruar se gjatë 2020-ës ka realizuar të ardhura neto prej 14 mijë e 760 euro, edhe pse i njëjti kishte realizuar të ardhura neto 19 mijë e 342 euro e 1 cent, me çka i njëjti ka deklaruar 4 mijë e 582 euro e 15 centë, më pak.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Gjuriq e dha në shqyrtimin fillestar të së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arjan Xhema.
Paraprakisht, të akuzuarit Gjuriq iu lexuan të drejtat e tij, pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë në shqyrtimin fillestar, nga gjyqtari i rastit Xhemajl Jusufi.
“Kjo ka ndodhur për shkak të një keqkuptimi me Agjencinë kundër Korrupsionit, nuk kam pasur asnjëherë qëllim që të kryej ndonjë veprim të kundërligjshëm, më vjen keq për këtë, prandaj dhe e pranoj fajësinë”, deklaroi Gjuriq.
Kurse, prokurori Xhema i propozoi gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë nga i akuzuari Gjuriq, pasi që ky pranim është bërë në mënyrë vullnetare, pas konsultimit të të akuzuarit me mbrojtësin e tij, avokatin Lubomir Pantoviq dhe në përputhje me shkresat e lëndës.
Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Gjuriq, avokati Pantoviq i propozoi gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë nga i mbrojturi i tij, duke shtuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e parapara me nenin 248 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, në lidhje me pranimin e fajësisë në shqyrtimin fillestar.
Më pas, gjyqtari Jusufi aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, duke konstatuar se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore.
Në lidhje me caktimin e sanksionit penal, prokurori Xhema i propozoi gjykatës që të pandehurin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit dhe si rrethanë rënduese të marrë parasysh faktin se vepra për të cilën akuzohet Nenad Gjuriq hyn në kapitullin e korrupsionit zyrtar dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare, ndërsa si rrethanë lehtësuese të merret parasysh pranimi i fajësisë nga i njëjti.
Ndërsa, avokati Pantoviq në lidhje me sanksionin penal, i propozoi gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptojë dënim me kusht ose dënim të ulët me gjobë, pasi sipas tij kështu do të arrihej qëllimi i dënimit, i paraparë me nenin 38 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton Betimi për Drejtësi.
“Në anën e të mbrojturit tim ekzistojnë vetëm rrethana lehtësuese, kurse rrethana rënduese që e përmendi prokurori nuk ekziston, sepse ligjdhënësi për secilën vepër penale ka përcaktuar dënimin dhe nuk mund të thuhet se i mbrojturi im duhet të dënohet më rëndë, vetëm për shkak se ka kryer veprën penale nga kapitulli në fjalë”, tha avokati Pantoviq.
I njëjti shtoi se i akuzuari Gjuriq e ka pranuar fajësinë që në fazën e hetimit, asnjëherë më parë nuk ka kryer vepër penale, është njeri familjar dhe ndaj tij nuk zhvillohet procedurë tjetër penale.
“Konsideroj se në këtë rast është përmbushur neni 26 i KPRK-së i lajthimit juridik, sepse i mbrojturi im ndër vite me rregull e ka raportuar pasurinë, por në periudhën kritike ka qenë koha e pandemisë COVID-19, i njëjti ka punuar me orar të stërgjatur dhe për këtë ka pranuar pagën më të lartë se zakonisht, për shkak të disa shtesave që i kanë marrë dhe nuk e ka ditur që këto shtesa është dashur të raportohen”, deklaroi avokati Pantoviq.
Ai shtoi se është i vetëdjshëm për parimin se mosnjohja e ligjit nuk arsyetohet, por tha se e konsideron të rëndësishme që gjykata ta ketë parasysh këtë fakt, me rastin e caktimit të dënimit.
Në anën tjetër, i akuzuari Nenad Gjuriq deklaroi se e mbështet deklarimin e mbrojtësit të tij, ndërsa shprehu keqardhje për rastin.
Gjyqtari Xhemajl Jusufi njoftoi se shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet më 3 mars 2023.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 20 shtator 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Nenad Gjuriq, me arsyetimin se për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2020, në cilësinë e drejtorit Rajonal të Policisë së Kosovës në Mitrovicë-Veri, nuk ka deklaruar në formularin e deklarimit të pasurisë, në mënyrë të saktë të hyrat e realizuara gjatë vitit 2020.
Sipas aktakuzës, i pandehuri ka qenë i detyruar që në Agjencionin kundër Korrupsionit (AKK) të bëjë deklarimin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare nga data 1 e deri më 31 mars 2021, mirëpo i njëjti nuk ka paraqitur saktë të hyrat e realizuara për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2020, duke deklaruar se gjatë vitit të lartcekur ka realizuar të ardhura neto prej 14 mijë e 760 euro, edhe pse i njëjti kishte realizuar të ardhura neto 19 mijë e 342 euro e 1 cent, me çka i njëjti ka deklaruar 4 mijë e 582 euro e 15 centë, më pak.
Me këtë, Gjuriq akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, par.2 dhe 1 të KPRK-së.
Ndryshe, më 3 nëntor 2022, Policia e Kosovës me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ka suspenduar drejtorin Rajonal të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, pasi kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës. Pas këtij vendimi, pjesëtarët e komunitetit serb janë larguar nga institucionet e Kosovës.
Ndërsa, nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se është marrë vendim për ndërprerje të marrëdhënies së punës së Gjuriq, vendim për të cilin ky i fundit ka të drejtë të paraqesë ankesë.