Gjashtë muaj pas hapjes së seancës konstituive, ajo ka përmbyllur punimet. Kryeparlamentari Dimal Basha konstatoi se legjislatura e nëntë u konstituua, me votimin e Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit. Zgjedhja u bë pas 27 proceseve të votimit, në të cilat dështuan deputetët e Listës Serbe të marrin votat e mjaftueshme për nënkryetar.
28 runde votimi u janë dashur deputetëve për ta zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, në takimin që përmbylli seancën konstituive të nisur gjashtë muaj më parë.
Deputeti serb nga partia “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, pasi u refuzua të propozohej nga Lista Serbe, u zgjodh për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës përmes shortit, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast Kuvendi i Kosovës konsiderohet i konstituuar.
Rashiqi mori 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime, duke siguruar kështu votat e mjaftueshme për këtë pozitë.
Për Rashiqin votuan edhe deputetët e LDK-së, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja abstenuan, dhe Lista Serbe votoi kundër.
