Nafije Rrafshi dhe bija e saj Behare Nura, e kanë mohuar fajësinë se e kanë kryer në bashkëkryerje vrasjen e të ndjerit Sefer Berisha në Malishevë, në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
Pas leximit të aktakuzave nga prokurori Ali Uka, e akuzuara Nafije Rrafshi, deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje, pasi që sipas saj, vrasjen e ka kryer e vetme ajo.
“Bashkëkryerje s’ka kurgjo. Nuk jam kundër ligjit po për shkak të padrejtësive që po bohen për familjen time. Nuk e pranoj fajësinë për bashkëkryerje veprën ngase e kam kry vetë vrasjen. Beharja nuk ka hiq gisht ktu”, deklaroi Nafije Rrafshi.
Ajo shtoi se e pranon fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Ndërsa, e akuzura tjetër Behare Nura, deklaroi se është plotësisht e pafajshme.
“Jam plotësisht e pafajshme. Më keni shkatërru me këtë far pune që e ka vra nona jem. Është e vërtetë se unë kam qenë me nënën, por kjo e ka kry këtë vrasje”, deklaroi Behare Nura.
Më pas, seanca është shtyrë me kërkesë të mbrojtësve të të akuzuarve, të caktuar sipas detyrës zyrtare, avokatëve Prenk Pepaj dhe Nexhmendin Gashi, si dhe përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, avokatit Emrush Kastrati, pasi që të njëjtit thanë se nuk janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndëve nga ana e Prokurorisë së Gjakovës.
Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Shaqir Zika, e ka obliguar prokurorin që t’i pajisë të njëitit me shkresat të lëndës, derisa seancat e radhës i ka caktuar që të mbahen më 6 dhe 12 prill 2021.
Fillimisht lidhur me këtë vrasje akuzohej vetëm Nafije Rrafshi, mirëpo prokurori Ali Uka, kishte kërkuar që gjykimi të ndërpritet pasi që kishte marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve dhe ndaj dy të pandehurve tjerë, me dyshimin e bazuar se në bashkëkryerje me të akuzuarën Nafije Rrafshin e kanë kryer veprën penale të vrasjes.
Këto hetime kanë rezultuar me ngritjen e një aktakuze edhe ndaj Behare Nurës, me dyshimin se e njëjta së bashku me Nafije Rrafshin kanë kryer veprën penale të vrasjes, ndërsa i akuzuari Granit Alushani po ngarkohet vetëm me veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 1 dhjetor 2020, Behare Nura po akuzohet se më 4 gusht 2018, rreth orës 9:30, në rrugën “Habib Zogaj” në fshatin Lladrovc të Malishevës, me dashje në bashkëkryerje me të akuzuarën Nafije Rrafshi, për motive të panjohura kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Sefer Berisha, i moshës 57 vjeç.
Tutje sipas aktakuzës, ato vrasjen e kanë kryer në atë mënyrë që gjersa tani i ndjeri Berisha ishte duke drejtuar automjetin e tij të udhëtarëve të tipit “Opel Vectra” dhe në momentin kur arrinë në rrugën “Habib Zogaj”, e akuzuara Nafije me të vërejtur tani të ndjerin gjersa ishte duke drejtuar automjetin “Alpha Romeo”, në të cilin automjet ndodhej edhe e akuzuara Behare, e akuzuara Nafije e ndalon automjetin pak më larg nga vendi i ngjarjes, që të dyjat dalin nga automjeti dhe i afrohen automjetit të tani të ndjerit i cili kishte dalë nga rruga dhe ndalur në një breg në afërsi të pyllit dhe nga një largësi për momentin të panjohur njëra prej të akuzuarave me revolën e tipit TT kalibër 7.62mm shtënë nga jashtë automjetit në drejtim të ulëses ku ishte i ulur i ndjeri, ashtu që me njërën prej të shtënave e qëllon atë në anën e majtë të qafës ndërsa me të shtënën tjetër në kokë mbi veshin e djathtë.
Për këtë, po akuzohen se kanë kryer veprën penale “vrasje” nga neni 178 i KPRK-së.
E akuzuara Nura po ngarkohet edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, përkatësisht për mbajtjen pa autorizim të armës të tipit TT kalibër 7.62mm së bashku me 19 fishekë të cilën armë e ka përdorur si në dispozitivin e përshkruar më lartë.
Për armëmbajtjen pa leje të armës dhe fishekë të përshkruar më lartë po ngarkohet edhe Granit Alushani, në atë mënyrë që atë armë të akuzuarit Granit ia jep bashkëshortja e tij Adelina ashtu që më parë atë armë e akuzuara Nafije ia kishte dhënë dëshmitares, përkatësisht vajzës së saj Adelinës për t’ia ruajtur.
Ndryshe, sipas aktakuzës së 19 janarit 2019 e akuzuara Nafije Rrafshi, akuzohet se më 4 gusht 2018, rreth orës 09:30 në fshatin Lladrovc, Komuna e Malishevës, me dashje për motive të panjohura, ka privuar nga jeta 57 vjeçarin, tani të ndjerin Sefer Berisha.
Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që gjersa tani i ndjeri Sefer Berisha, me automjetin e tipit “Opel Vectra”, dhe në momentin kur arrin në rrugën “Habib Zogaj”, e pandehura derisa ishte duke e vozitur automjetin e tipit “Alfa-Romeo”, me të vërejtur tani të ndjerin, e ndalon automjetin pak më larg nga vendi i ngjarjes hynë në automjetin e tani të ndjerit dhe që të dy dalin nga makinat ku qëndrojnë në breg në afërsi të një pylli dhe pas një fjalosje dhe kacafytje e pandehura nga çanta e nxjerrë një revole të tipit “TT”, kalibri 7.62 mm dhe e godet njëherë në qafë dhe pastaj në kokë atë si dhe largohet në drejtim të panjohur.
Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprat penale “vrasje”, nga neni 178 të KPRK-së si dhe “mbajtje në pronësi, posedim ose kontroll të paautorizuar të armës”, nga neni 374 par.1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi