Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së dielës në fshatin Alarup të Pogradecit. Nënë e bijë janë mbytur në gropën me ujë 3 metër të thellë, e cila përdorej për vaditje.
Ngjarja tronditëse ka ndodhur në tokën e Liri Mazellit, nënës 35 vjeçare, e cila shoqërohej nga vajza e mitur 10 vjeçarja me inicialet E.M. që po luante afër gropës me ujë, por ka rrëshqitur dhe ka përfunduar brenda saj. E gjithë skena është parë nga nëna e së miturës, e cila në tentativë për të shpëtuar të bijën është hedhur brenda rezervuarit, por është mbytur së bashku me 10 vjeçaren.
Ndërkohë, burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se njëra nga vajzat e 35 vjeçares, ka dalë për të kërkuar nënën dhe motrën dhe kur është përballur me ngjarjen ka kërkuar ndihmë te banorët e fshatit. Ka qenë një nga familjarët e Liri Mazellit ai që ka bërë të mundur nxjerrjen e trupave pajetë jashtë gropës me ujë.
Ndërkohë njëri nga banorët e zonës shprehet se për shkak të mungesës së sistemit ujitës, i duhet të jetojnë çdo ditë me rrezikun e gropave me ujë, të krijuara për të vaditur tokat. 35-vjeçarja ishte nënë e 4 fëmijëve. Trupi i saj dhe i vajzës 10 vjeçare, u dërguan për në banesë, aty ku pritet t’u jepet lamtumira e fundit./bw