Një nënë amerikane nga Florida e ShBA-së po kërcënon se do ta padisë shkollën e fëmijëve të saj, pasi ia ndaloi punën vullnetare për shkak se ka një llogari në uebfaqen për të rritur, “OnlyFans”.
Victoria Triece, 30 vjeçe, nënë e dy fëmijëve në shkollën fillore “Sand Lake”, tha se është ndier e gjykuar dhe e izoluar, pasi iu tha se nuk mund të bëjë më punë vullnetare në shkollë, shkruan Independent, transmeton Gazeta Express.
Incidenti ndodhi pasi disa nga prindërit i gjetën fotografitë e zonjës Triece në faqen për të rritur dhe u ankuan për këtë në shkollë.
Triece tha se nuk është duke bërë asgjë të paligjshme duke qenë e pranishme në këtë uebfaqe, ku ata që abonohen paguajnë të holla për të siguruar qasje në fotografi e video eksplicite.
“S’është pozicion i askujt që ta gjykojë atë që dikush e bën në jetën e vet private. Nëse nuk jam duke lënduar askënd dhe nëse nuk po ndikoj në ditën e askujt, atëherë është zgjedhja e dikujt për të bërë diçka që është plotësisht e ligjshme”, tha ajo para gazetarëve.
“Kjo preku një prind, që shkoi e pagoi për ta parë përmbajtjen time, por atëherë u desh që të shkonte për t’i dërguar këto fotografi të miat në shkollë dhe të bëjë që të mos më lejohet të jem afër fëmijëve më, gjë që e kam bërë dhe ia kam kushtuar jetën për pothuajse pesë vite”, shtoi ajo.
Triece tani po synon që ta padisë bordin e shkollës për një milion dollarë dhe ka kërkuar që të kthehet si vullnetare në shkollë.
Firma ligjore që po e përfaqëson nënë amerikane tha se baza për dëmet e shkaktuara përfshin mohimin e së drejtës për të marrë pjesë në jetën e fëmijëve të saj dhe mohimin e zgjedhjes së mënyrës së jetesës.