Nënkryetari i Novobërdës: Pas shembjes së dheut e vështirë të depërtohet në punishte te minatorët, të gjitha ekipet janë duke punuar

Prishtinë | 02 Qer 2020 | 18:49 | Nga Ekonomia Online

Dy minatorë në Minierën e Artanës kanë humbur jetën ditën e sotme si pasojë e shembjes së një pllake në horizontin e pestë.

Bajrush Ymeri, nënkryetari i komunës së Novobërdës në Info Magazinë tregoi më shumë detaje nga ngjarja e rëndë që ndodhi sot.

“Fatkeqësisht komunën tonë e ka kapluar një ditë e zezë, pasi që humbën jetën dy minatorë tanë – dy punëtorë të zellshëm. Fatkeqësisht ne morëm informatën që dy minatorë që ishin duke punuar kanë humbur jetën në minierë dhe jemi duke punuar në nxjerrjen e trupave tyre”.

“Që nga ora 10 jemi në vendin e ngjarjes dhe jemi mundu të kontaktojmë me menaxherin e Trepçës i cili ka dhënë informata, edhe minatorët që kanë qenë bashkë me minatorët që kanë vdekur. Ata kanë shkuar në punë si zakonisht dhe duke gërmuar për një moment është shemb një sasi e madhe e dheut dhe i ka zënë dy minatorët që kanë humbur jetën dhe një person është lënduar”, deklaroi Ymeri.

Ymeri mes tjera njoftoi se të gjitha ekipet relevante janë në vendin e ngjarjes që të arrijnë të bëjnë nxjerrjen e trupave.

“Nuk është e vështirë të arrihet deri tek vendi i ngjarjes por tani është e pamundur të nxirren trupat meqë ata janë në zgafellë dhe është brenda shumë e vështire të depërtohet – janë në përpjekje për të bërë nxjerrjen e trupave”.

“Edhe minatorët janë të gatshëm për të hyrë të nxjerrin trupat e kolegëve të tyre”.

Ymeri mes tjerash tregoi se në këtë minierë nuk ka pasur ngjarje të tillë më herët.

“Me aq sa mbajë mend unë meqë këtu jam lindur dhe rritur – mbajë mend që shumë moti nga pakujdesia ka humbur jetën një punëtor i komuniteti serb, ka pasur lëndime të shumta nga punëtorë tjerë mirëpo ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur kurrë”.

Ymeri mes tjerash tregoi edhe për gjendjen shëndetësore të minatorit të lënduar.

“Fatmirësisht ka shpëtuar me lëndime të lehta mjeku QKMF-së këtu e kontrolloi dhe minatori tha se është mirë nuk ka nevojë të shkoj në QKUK mirëpo është i tronditur meqë i ka pa kolegët e tij duke vdekur”.

Të ngjashme