Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, i është përgjigjur sekretarit të shkarkuar të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, i cili ka thënë se Vetëvendosje mund të bëjë koalicion me PDK-në por jo me këtë përbërje.
Ismaili ka thënë se pavarësisht dëshirës së Vetëvendosjes për pushtet, PDK-ja nuk do ta marrë në koalicion.
“Disa gjëra janë politike, p.sh. që ke qejf të bësh koalicion me PDK-në është politike. Faleminderit, por s’jemi të interesuar. Ndoshta Lëvizja Vetëvendosje ka menduar që është reformë me të shkarku ty prej Sekretarit, por reformë do ishte me të heq ty tërësisht prej skenës politike”, ka shkruar Ismaili në Facebook.
Nënkryetari i PDK-së, Ismaili po ashtu e ka quajtur kërcënim kriminal deklaratën e Molliqajt ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa ka theksuar se Molliqaj është promovues politik i grupeve kriminale.
“Të kërcënosh me emër dhe mbiemër prokurorët edhe gjyqtarët, kjo nuk është politike, por kriminale. Kjo taktikë është përdorë edhe nga shumë grupe të krimit të organizuar anekënd botës. Ato grupe kriminale kanë paguar pare për këtë metodologji, kurse ti i promovon në politikë. Metodë e njëjtë, valutë tjetër! Nuk është që sjellë ndonjë poen politik mbrojtja e njerëzve që janë në administratë shtetërore, por fatkeqësisht, kur nuk ka asnjë zë në media dhe shoqëri civile që i mbron ata prej linçimit tuaj publik me metoda të krimit të organizuar, atëherë po na duhet të dalim edhe ne përtej politikës. Shteti Kosovës i ka disa të meta por është kriju me vuajtje, shpresë e dedikim gjeneratash. Ti ke dëshirë mu ngritë në politikë tu e shly shtetin e Kosovës por me një taktikë hap pas hapi. Njëherë me koktella mollotovi, tash me kërcënime publike. Por Republika e Kosovës ka me shku drejt forcimit e Ty populli ka me të shkarku prej politikës qysh të ka shkarku Partia jote. Hap pas hapi. Veq sabër pak”, ka thënë Ismaili.
Ky reagim i nënkryetarit të PDK-së ka ardhur pas akuzave të rënda të Molliqajt një natë më parë në Tv Dukaghini, I cili ndër të tjera ka paralajmëruar me emër e mbiemër gjyqtarët dhe prokurorët se nuk do t’ua harrojnë veprimet e tyre.
“4 aktivistët e Lëvizjes ende po mbahen në arrest shtëpiak, pa asnjë faj dhe pa asnjë kuptim. Gjykatësit Beqir Kalludra dhe prokurorit Abdurrahim Islami asnjëherë nuk do t’ia falim persekutimin politik që po ua bëjnë aktivistëve tanë!”, ka thënë ndër të tjera sekretari i shkarkuar i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj.