Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Xhavit Haliti, ka pritur sot në takim disa gazetarë ndërkombëtarë, të cilët nën patronatin e Shoqatës së Gazetarëve të huaj në Zvicër dhe Liechtenstein, APES (Association de la Presse Étrangère en Suisse et au Liechtenstein), me seli në Gjenevë, po qëndrojnë në Kosovë, për 10 vjetorin e pavarësisë.
Në takim u diskutua për gjendjen politike në Kosovë, të arriturat e saj dhe sfidat gjatë dhjetë viteve shtet i pavarur dhe sovran, për dialogun me Serbinë dhe proceset integruese, për Gjykatën Speciale dhe investimet e huaja etj.
Haliti shprehu qëndrimin se ndonëse Gjykata Speciale është e padrejtë, Kosova duhet të përballet me të për të vërtetuar pastërtinë e luftës çlirimtare.
Po ashtu, Haliti informoi gazetarët për punën e Kuvendit dhe miratimin e ligjeve sipas standarde evropiane, në funksion të lehtësimit të investimeve të huaja në vend, të cilat do të ndikonin në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe zbutjen e papunësisë.