Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi ka reaguar pas vendimit të Lëvizjes Vetëvendosje që të ndryshohet Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ajo ka thënë se mos-koordinimi me opozitën për këtë ligj është në kundërshtim me frymën bashkëpunuese që ka ofruar LDK-ja ditëve të fundit.
“Ndryshimi i Ligjit për Zgjedhje, ad-hoc dhe në mos-koordinim me partitë opozitare, është i kundërt me frymën bashkëpunese që Lidhja Demokratike e Kosovës, nën lidershipin e ri, ka treguar ditëve të fundit për t’i hapë rrugë kompletimit të institucioneve të Republikës së Kosovës. Ligji për Zgjedhjet ka nevojë për ndryshime, por në koordinim dhe bashkëpunim me akterët tjerë politikë dhe eskpertë të fushës”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.
Ndaj këtij vendimi të VV-së reagim zyrtar ka pasur edhe LDK-ja.
Kjo parti e ka konsideruar të ngutshëm vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në vend. Nga LDK-ja konsiderojnë se ky ligj nuk duhet të shndërrohet në mjet shantazhi politik.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me vëmendje nismat e orëve të fundit të deputetëve të pushtetit dhe e konsideron absolutisht të ngushtëm vendimin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, marrë parasysh faktin që Kosova sapo ka kaluar këtë proces dhe sapo ka konstituuar legjislaturën e re. LDK vlerëson lart konributin e mërgimtarëve tanë në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës dhe beson se secili qytetar i saj, kudo që është, duhet ta ketë të drejtën për të zgjedhur dhe për të votuar. Prandaj, një e drejtë e tillë, dhe një ligj kaq i rëndësisëhm, nuk guxon të shndërrohet në mjet shantazhi politik të brendshëm. LDK e vlerëson të ngutshëm dhe shantazhues veprimin e sotëm për ta sjellë në votim pa një dakordim paraprak, pa në diskutim adekuat dhe pa një debat të gjerë, njërin ndër ligjet më të rëndësishme në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagim.