Nënshkrimi i Hotit në Washington, mund ta çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme

Prishtinë | 10 Sht 2020 | 08:32 | Nga Ekonomia Online

Katalizator për përshpejtimin e zgjedhjeve të parakohshme është duke u parë përmbajtja e dokumentit të zotimeve që e ka firmosur në Shtëpinë e Bardhë kryeministri Avdullah Hoti, kundër të cilit është pozicionuar opozita.

E, në rrëzimin e Qeverisë Hoti, si moment përcaktues është paralajmëruar procesi i zgjedhjes së presidentit.

Përfshirja e Partisë Demokratike (PDK) në Qeveri ishte diskutuar përpara firmosjes së zotimeve nga kryeministrit Hoti e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

PDK-ja i ka kualifikuar si kundërkushtetuese dy prej zotimeve. E, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka qenë edhe më e zëshme dhe të mërkurën e ka përmendur pikërisht përmbajtjen e këtij dokumenti që e ka firmosur kryeministri, si arsye shtesë për ta votuar mocionin e mosbesimit kundër Qeverisë, për të cilin kjo parti ndodhet në procesin e mbledhjes së nënshkrimeve të deputetëve.

Imer Mushkolaj është analist dhe ka konsideruar se koalicioni aktual nuk mund të çojë përpara asgjë sa i përket marrëveshjes, në kuptim të zbatimit. Ai ka argumentuar pse marrëveshja e Washingtonit çon më shumë drejt zgjedhjeve të reja sesa të konsolidimit të koalicionit me LDK-në.

“Është një shkas për PDK-në dhe LVV-në që këtë marrëveshje ta shohin në favor të tyre në kuptimin elektoral, duke e kritikuar si të rrezikshme e të papranueshme. Në anën tjetër, prej kësaj marrëveshje u përpoq dhe po bën përpjekje të përfitojë edhe Haradinaj, jo me idenë se marrëveshja është e mirë, por me idenë se ka mundur të jetë më e keqe, por falë tij u arrit ky version”, i ka thënë KOHËS Mushkolaj.

Të ngjashme