Nënshkrimi i marrëveshjeve në Berlin – Sadiku thotë se lehtësohet jeta e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor

Prishtinë | 04 Nën 2022 | 09:38 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Të enjten në Gjermani është mbajtur Samiti i Berlinit, në të cilin kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar tri marrëveshje.

Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se këto marrëveshje garantojnë një prosperitet dhe një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

“Këto marrëveshje garantojnë një prosperitet dhe një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, duke marrë parasysh që do të kemi lëvizje të lirë vetëm më letërnjoftim në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Sadiku gjithashtu tha se me marrëveshjen mbi njohjen e diplomave të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor, do të zgjidhet problemi për qytetarët e Luginës së Preshevës me diplomat që kanë marrë në Kosovë dhe nuk janë pranuar nga shteti serb.

“Do të kemi njohje të diplomave, që do ta zgjidhë një problem për qytetarët e Luginës së Preshevës me diplomat që kanë marrë në Kosovë që nuk janë pranuar deri më tani në Serbi, edhe ky do të jetë lehtësim jashtëzakonisht i mirë”.

Ndërsa për marrëveshjen mbi njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Evropën Qendrore, Sadiku tha se është një lehtësim shumë i madh për të gjithë qytetarët e rajonit.

“Si dhe pjesa për njohjen e diplomave për arkitektët, mjekët, dentistët e kështu me radhë. Janë një lehtësim i mirë për të gjithë qytetarët e rajonit në kuptimin që përveç lëvizjes së lirë edhe do të krijohen një momentum i mirë i bashkërendimit të aktiviteteve dhe lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët”, tha ai.

Të ngjashme