Nënshkruhet aplikimi për anëtarësimin e Kosovës në BE

Prishtinë | 14 Dhj 2022 | 11:21 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkim Evropian. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryekuvendari Glauk Konjufca.

Nënshkrimi u bë në një ceremoni zyrtare të organizuar në ambientet e Presidencës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Osmani e quan ditë historike nënshkrimin për aplikim në BE: Po e sjellim Kosovën një hap më afër unionit

Në një fjalë rasti, Osmani ka dhënë se me nënshkrimin e aplikimit, Kosova po shkon një hap më afër drejt Bashkimit Evropian.

Osmani tha kjo se është ditë historike për vendin, është moment historik. Presidentja shtoi se ky është një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës kolektive dhe ambicies sonë të patjetërsueshme.

“Sot është një ditë historike dhe është moment historik, 14 dhjetori ka një histori moderne në Republikën e Kosovës, ku shënojmë themelimin e ushtrisë tonë dhe aplikimin për në Bashkimin Evropian. Ne jemi sot së bashku për të sjellë vendin tonë një hap më afër Bashkimit Evropian. Për Kosovën dhe qytetarët e saj nuk ka pasur asnjëherë alternativ tjetër. Ky akt i dedikohet të gjithë qytetarëve të vendit tonë, por mbi të gjitha ky moment i dedikohet çdo fëmijë, gruaje e burri të Kosovës ku u përballëm padrejtësi me gjenocid”.

“Kosova është mishërim i vlerave dhe shteti më i ri në kontinentin më të vjetër, vend i mediave të lira, garantues i lirive fetare. Rruga jonë përpara është e qartë. Ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses dhe ne do ta bëjmë pjesën e punës sonë në mënyrë që BE-ja ta ketë më të lehtë pjesën e punës së vet”.

Konjufca i bindur: E meritojmë të bëhemi vend kandidat për në BE

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova e meriton që të bëhet vend kandidat në Bashkimin Evropian.

“Sot është ditë e rëndësishme për Republikën e Kosovës. Jemi mbledhur me shumë krenari e përkushtim për ta nënshkruar letrën e kërkesës në emër të Kosovës për aplikim për anëtarësim në BE”.

Tutje, kryeparlamentari ka thënë se për Kosovën dhe gjithë rajonin anëtarësimi është në këtë union i një rëndësie të veçantë.

“Ky është hapi i parë zyrtar në rrugën e anëtarësimit të Kosovës drejt BE-së. Një rrugë që ishte e gjatë dhe aspak e lehtë. Ne e meritojmë të bëhemi vend kandidat dhe ta fillojmë rrugëtimin tonë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, fazë që synojmë ta arrijmë në një kohë sa më shpejtë të mundshme”.

Kurti: Aplikimin për anëtarësim do t’ia dorëzojmë presidencës çeke të BE-së në Pragë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ky është një moment historik për Kosovën.

Kurti ka bërë të ditur se aplikimi do t’i dorëzohet Presidencës Çeke të BE-së në Pragë.

Ai shtoi se progresi do të varet nga “përkushtimi për reforma të thella dhe transformuese që avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë”.

“Bazuar në aspiratat dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit tonë për paqe, liri, barazi dhe drejtësi, orientimin tonë të qartë evropian e euroatlantik dhe konsensusin shoqëror e politik se e ardhmja e vendit tonë është brenda BE-së, sot po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madhe të paqes dhe prosperitetit në Evropë”.

“Aplikimi në BE i nënshkruar sot nga krerët e Republikës tonë, do t’ia dorëzojmë presidencës çeke të Këshillit të BE-së në Pragë. Ky është moment historik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin dhe shoqërinë tonë”.

“Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Ne do të ecim përpara me meriton tonë, me aftësitë tona për t’i përmbushur kriteret. Pengesat dhe sfidat i kalojmë me zhvillim demokratik dhe progres shoqëror”, ka thënë Kurti. 

Të ngjashme