Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se është shënuar një hap i rëndësishëm drejt angazhimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.
Maqedonci ka bërë të ditur se Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe Komandanti i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, Gjeneral Major Jasper Jeffers, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Participimit në mision.
“Sot u shënua një hap i rëndësishëm drejt angazhimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka thënë se marrëveshja rregullon aspektin teknik të angazhimit të kontingjentit të FSK-së në Gaza.
“Në praninë time dhe të përfaqësuesit të Bordit të Paqes, Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe Komandanti i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, Gjeneral Major Jasper Jeffers, nënshkruan Marrëveshjen e Participimit në mision, marrëveshje kjo që rregullon aspektin teknik të angazhimit të kontingjentit të FSK-së në Gaza”, ka deklaruar ai.
Maqedonci ka bërë të ditur se gjatë takimit me komandantin e FNS Gaza dhe delegacionin e tij është diskutuar për angazhimin e Kosovës në këtë mision dhe gatishmërinë e FSK-së për të kontribuar në përpjekjet ndërkombëtare për paqe, siguri dhe stabilitet.
“Gjatë takimit me Komandantin e FNS Gaza, Gjeneral Major Jasper Jeffers, dhe delegacionin e tij, diskutuam për angazhimin e Kosovës në këtë mision dhe gatishmërinë e FSK-së për të kontribuar, përkrah partnerëve tanë, në përpjekjet ndërkombëtare për paqe, siguri dhe stabilitet”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka njoftuar gjithashtu për takimin me James Bjorkman, zyrtar ndërlidhës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bordin e Paqes, me të cilin ka diskutuar për angazhimin e Kosovës dhe FSK-së në kuadër të këtij misioni.
“Po ashtu, sot zhvillova takim me James Bjorkman, zyrtar ndërlidhës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bordin e Paqes, me të cilin diskutuam për angazhimin e Republikës së Kosovës dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të FNS Gaza, si dhe për koordinimin dhe bashkëpunimin në funksion të realizimit të këtij misioni. Gjatë këtij takimi u vlerësua lart profesionalizmi që po e tregojnë pjesëtarët e FSK-së në këtë mision”, ka thënë ai.
Maqedonci ka theksuar se Kosova po synon të kalojë nga një vend që ka përfituar nga mbështetja ndërkombëtare në fushën e sigurisë, në një vend që kontribuon në paqe dhe siguri përkrah aleatëve.
“ Kosova po e ndërton me vendosmëri rolin e saj nga një vend që ka përfituar nga mbështetja ndërkombëtare e sigurisë, në një vend që kontribuon për paqen dhe sigurinë përkrah aleatëve dhe partnerëve tanë”, ka shtuar Maqedonci.