Nënshkruhet marrëveshje me BERZh-in për Rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10

Prishtinë | 15 Shk 2018 | 09:56 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Financave (MF) ka nënshkruar marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Grantin për projektin për Rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10, raporton Ekonomia Online.

Marrëveshja është nënshkruar nga Ministri i Financave Bedri Hamza dhe Drejtoresha Menaxhuese për Evropën Qendrore dhe Juglindore e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim Charlotte Ruhe.

Të pranishëm ishin edhe Drejtori Gjeneral i Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim Christian Danielsson, Drejtori menaxhues për Evropë dhe Azi Qendrore në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme (EEAS) Thomas Mayr-Harting, si dhe Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha.

Ministri Hamza tha se rehabilitimi i kësaj hekurudhe do të ndodhë në tri faza. Kostoja e këtij projekti kap vlerën 195,5 milionë euro.

“Republika e Kosovës ka arritur të ndërtojë mbi 150 km autostradë që përfshihen në korridoret trans-evropiane. Qeveria e Kosovës me plan programin e saj deri në fund të vitit 2021 synon të arrijë ndërtimin e korridoreve të lidhura me sektorin hekurudhor dhe rrugor.

“Financimi i linjës që na lidh dy drejtimet me BE-në do realizohet nga BE, BERZh-i dhe Banka e Investimeve Evropiane. Kostoja e financimit është 195,5 milionë euro që do realizohet në tri faza; faza e parë e projektit përshkon 64 km nga Hani i Elezit deri në Fushë Kosovë, BE-ja do financojë 35,8 milionë euro donacion janë ndihmë për projektet financiare mjete pa kthim, BERZh-i dhe Banka Evropiane me nga 19 milionë euro”.

“Fazë e dytë fillon nga Fushë Kosova deri në Mitrovicë, BE-ja ndan 17,2 milionë euro për punë fizike dhe do nënshkruhet marrëveshja muajt në vazhdim, MF dhe MIE përmes Këshillit Kombëtar do aplikojë për fazën e tretë që ka 42 km që shtrihet nga Mitrovica deri në kufi me Serbinë, vlera e fazës së tretë kap vlerën 24 milionë euro”.

Dhurata Hoxha, ministrja e Integrimit Evropian, tha se rehabilitimi i kësaj hekurudhe është dhurata më e mirë për Kosovën në këtë 10 vjetor të pavarësisë.

“Në 10 vjetorin e pavarësisë vendi ynë ka bërë shumë në infrastrukturën ekonomike, sociale, rrugore, në këto suksese na kanë ndihmuar partnerët tanë sidomos BE-ja. Në 2014 u lansua procesi i Berlinit me një qëllim të vetëm për afrimin e vendeve të Ballkanit perëndimor më afër BE-së. Afrimi në BE nuk është vetëm anëtarësimi, por çdo ditë të punojmë që kapin vlerat dhe reformat evropiane”.

“Linja hekurudhore 10 është projekt strategjik për qytetarin. Është pjesë e rëndësishme e korridoreve, MIE dhe MF kanë punuar në përgatitjen teknike të këtij projekti. Integrimi në BE nuk nënkupton të shkojë në Bruksel, por të bëhet evropiane këtu në Prishtinë. Kjo është dhuratë e bukur për përvjetorin e 10 të pavarësisë së Kosovës”.

Christian Danielsson, Drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim, tha se kjo hekurudhë lidh Kosovën me vendet fqinje.

“Kemi nënshkruar një kontratë qe ka të bëjë më ndërlidhshmërinë e hekurudhës nga Prishtina në jug. Është pjesa e ndërlishmësisë me Ballkanin Perëndimor. Kur të jetë e instaluar do të lejojë lidhje më të mirë dhe mundësi të mira për njerëzit për ti mbajtur kontaktet”.

“Do ta kemi tërë rindërtimin e korridorit hekurudhor që lidh nëpërmjet Kosovës, Bullgarisë dhe Greqisë. E tëra përfshin një program ambicioz për tërë Ballkanin, kemi dedikuar 1 miliardë për këtë qëllim specifik”.

Charlotte Ruhe, nga BERZh, tha se do vazhdohet me nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera dhe kjo marrëveshje ka thelluar bashkëpunimin me Kosovën, me donatorët dhe BERZh-in.

“Do vazhdohet me nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera, kjo është granti i parë i joni në Kosovë, do të jemi nikoqir të samitit në Londër. Po Festojmë nënshkrimin e këtij granti. Jemi të kënaqur që me këtë projekt kemi thelluar bashkëpunimin me Kosovën, donatorët, me BERZh-in dhe me Bankën e Investimeve Evropiane”.

“Ne do të financojmë pjesën e Fushë Kosovës në kufi me Maqedoninë. Ky projekt lidh Kosovën me fqinjët dhe presim qe me ministrin e Financave  dhe ministrinë e Infrastrukturës që të punojmë së bashku për zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm”.

 

Të ngjashme