Nënshkruhet memorandum mirëkuptimi mes Këshillit Prokurorial dhe Akademisë së Drejtësisë

Prishtinë | 20 Mar 2019 | 16:37 | Nga Ekonomia Online

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni dhe drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Valon Kurtaj, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për mbështetjen e avancimit profesional dhe lehtësimin e zhvillimit të programeve të trajnimit për sistemin prokurorial.

Kryesuesi i Këshillit, Bahri Hyseni, ka thënë me këtë rast se ky memorandum do të fokusohet kryekëput në shkëmbimin e informatave të ndërsjella për zbatimin e aktiviteteve për vlerësimin e nevojave, përcaktimin e politikave, zbatimin e programit dhe shkëmbimin e të dhënave lidhur me trajnimet, por edhe vlerësimin e ndikimit të tyre. “Në këtë aspekt, Këshilli Prokurorial i Kosovës do të angazhohet në mënyrë proaktive për vlerësimin e nevojave për trajnim të prokurorëve dhe stafit administrativ dhe për hartimin e politikave trajnuese”, ka thënë z.Hyseni.

Nga ana tjetër, Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Kurtaj, ka thënë se institucioni që udhëheq ai do të angazhohet për të bërë zbatimin e trajnimeve për anëtarët e sistemit prokurorial, në mënyrë që të bëhet ngritja e nevojshme e kapaciteteve të sistemit prokurorial.

Këshilli Prokurorial dhe Akademia e Drejtësisë do të bëjnë në vazhdimësi shkëmbimin e të dhënave bazike të prokurorëve dhe stafit administrativ lidhur me të dhënat për pjesëmarrjen në trajnime dhe programe të tjera.

Të ngjashme