Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, së bashku me kryetarin e Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, kanë nënshkruar dy memorandume bashkëpunimi për ndërtimin e palestrës sportive dhe ndërtimin e stadiumit në Dragash.
Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, tha se ministria do të mbështesë projektet e komunës së Dragashit me qëllim të përkrahjes së rinisë.
“Ky takim kishte për qëllim dy marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin e fushave te sportit. Duke pasur parasysh përkushtimin tonë në përmirësimin e kushteve për të rinjtë sportist kemi ardhur bashkë me deputetët jemi sot edhe për ta konfirmuar mbështetjen për kryetarin e komunës”.
“Jam i lumtur që kemi arritur deri te konkretizimi i marrëveshjes për palestrën sportive, e cila ka pasur fat të keq të mos ndërtohet deri tani. Kryetari ka pasur vazhdimisht kërkesë për ndërtimin e stadiumit të qytetit. Jemi pajtuar që edhe ky projekt të përfundojë dhe do të fillojë në vitin 2019”, tha Gashi.
Kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, tha se financimi i projekteve të tilla do të ndihmojë rininë e komunës.
“Falënderova ministrinë për mbështetjen. Patëm kënaqësinë t’i nënshkruajmë dy memorandume për ndërtimin e palestrës, e cila do të jetë në vlerë 700 mije euro dhe 100 mije euro stadiumi i komunës. Janë dy projekte që do t’i ndihmojnë shumë komunës tonë”, tha ai.
Deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj, tha se presin që gjatë këtij mandati të gjitha projektet e premtuara të përfundojnë.
“Ndjehem mirë kur po realizohen dy projekte në këtë komunë. Shpresoj që gjatë kësaj legjislature do të realizohen të gjitha projektet e premtuara”, theksoi Çoçaj.
Deputetja Luljeta Veseli- Gutaj tha se janë të gatshëm të ndihmojnë në realizimin e projekteve
“Ne, si deputetë, jemi të gatshëm të mbështesim të gjitha projektet që vijnë nga komuna”, deklaroi Veseli-Gutaj, raporton Ekonomia Online.