Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri kanë nënshkruar Marrëveshjen e Mirëkuptimit për përurimin e objektit për banim social për 17 familje në Stan Tërg.
Përmes kësaj marrëveshjeje MPMS-ja objektin ia kalon në pronësi komunës së Mitrovicës, e cila pastaj pritet të formojë një komision për përzgjedhjen e familjeve që do të përfitojnë, raporton Ekonomia Online.
Mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje nga takimi, ndërsa është paralajmëruar se ministri dhe kryetari nuk do të deklarohen për medie.
Pas këtij takimi, i cili është duke u zhvilluar, do të bëhet përurimi i objektit në Stan Tërg, ku përpos ministrit Reçica dhe kryetarit Bahtiri do të marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Me këtë rast pritet që zyrtarët të deklarohen për medie.