Kryeministri Albin Kurti ka vizituar familjen e Sefer Hagjijajt, në Vitomericë të Pejës, përfituese nga thirrja e MAPL-së për ndërtimin e shtëpive për komunitetet joshumicë, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se kjo familje 9-anëtarëshe ka nevojë për banim të dinjitetshëm dhe për kushte të jetueshme.
Kreu i Qeverisë u informua se shtëpisë i është vendosur kulmi qe dy javë dhe se janë mbetur edhe pak ditë që ata të fillojnë një jetë të re në shtëpinë e re.
“Sefer Hagjijaj i përket një familjeje 9-anëtarëshe dhe i përket komunitetit rom që ka nevojë për banim të dinjitetshëm për kushte të jetueshme për veten, bashkëshorten dhe fëmijët e tij. Për dy javë ditë i është vendosur kulmi kësaj shtëpie të re dhe tash dy ditë e gjysmë po vazhdon suvatimi dhe rregullimi i fasadës. Do të ketë edhe disa ditë punë në mënyrë të hyjnë në shtëpinë e re dhe ta fillojnë edhe jetën. Më lejoni ta falënderoj edhe ministrin Krasniqi për ndarjen e fondeve për ndërtimin e gjithsej 57 shtëpive në të gjithë Kosovën për komunitetet joshumicë për familjet që në aspektin social i kanë nevojat më të mëdha”, tha ai
Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, theksoi që nga kjo skemë kanë përfituar edhe familjet në veriun e Kosovës, sipas tij, vitin tjetër do të rrisin numrin e familjeve përfituese.
“Gjithsej janë ndërtuar 57 shtëpi, skema ka qenë për komunitetet pakicë në komunë që i bie edhe në veri të vendit kemi ndërtuar 5 shtëpi në kuadër të së njëjtës skemë ndërsa të tjerat janë edhe në pjesën tjetër të Kosovës. Peja ka numër të theksuar të komuniteteve edhe të gjitha komunitetet që jetojnë këtu kanë përfituar nga një shtëpi për ata që kanë aplikuar nga personat në nevojë. Skemë e jashtëzakonshme kemi 57 kërkesa me pak këtë vit, e në vitin tjetër do të rritet numri i shtëpive për persona me nevoja në Kosovë”, tha ai.
Kryefamiljari Sefer Hagjijaj u shpreh shumë i lumtur dhe mirënjohës që është bërë më shtëpi.
“Ndërtimi deri më kulm ka marr dy javë ditë kryesisht 14 ditë, fasada dy ditë e gjysmë brenda e jashtë dhe jemi të kënaqur”, tha ai.


