Nëntë të infektuar me COVID-19 nga Kamenica do të ritestohen sot për të parë nëse janë shëruar. Në këtë komunë nuk ka pasur raste të reja që nga 28 prilli, derisa numri total i rasteve deri tani ka shkuar në 38.
Zëdhënësja e Komunës së Kamenicës, Margarita Rashiti i ka thënë Gazetës Express se nga 13 mostrat që janë testuar mbrëmë, nëntë persona kanë dal negativë.
Ajo ka treguar se të njëjtit do të ritestohen edhe sot dhe varësisht nga rezultatet do të dihet nëse janë shëruar apo jo.
“Po mbrëmë kemi pranuar rezultatet e ritestimeve nga IKShPK, ku prej 13 mostrave, katër kanë rezultuar përsëri pozitiv kurse nëntë prej tyre negativ. Këtyre nëntë personave do t’u bëhet sot edhe nja testim tjetër për të vërtetuar nëse janë shëruar plotësisht apo jo. Mostra për testime të reja nuk ka, por janë marrë mostra për ritestime”, thuhet në përgjigjet e Rashitit për Express.
Ndryshe, mbrëmë në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik janë testuar gjithsej 221 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.
Prej këtyre mostrave, pozitive kanë rezultuar shtatë raste. Rastet pozitive janë raste kontakti dhe sipas vendbanimit: gjashtë (6) raste nga komuna e Prizrenit dhe një (1) rast nga komuna e Suharekës.
IKShP’ja ka njoftuar edhe për shërimin e 27 pacientëve.
“Sot më 01 maj 2020, janë shëruar edhe njëzet e shtatë (27) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej dyqind e nëntëdhjetë e tetë (298) raste”, thuhet në njoftim.
Që nga shpërthimi i pandemisë, në Kosovë kanë vdekur 22 pacientë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 813, ndërsa 298 pacientë janë shëruar.