Miratimi i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë më kujtoi një nga pamjet më të kobshme të asaj ngjarjeje, e përjetësuar në shtatoren “Nermine, Dođi” (Nermin, eja) pranë parkut të madh të Sarajevës. Bëhet fjalë për një monument dedikuar boshnjakut Ramo Osmanovic, i cili u bë i njohur për shkak të një video makabre që tregonte se si pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Serbe e detyronin që të thërriste djalin e vet që të dorëzohej dhe të dilte nga pylli bashkë me boshnjakët e tjerë që ishin fshehur, duke thënë “eja se jemi të sigurtë tek serbët”. Pas rënies së “zonës së mbrojtur të OKB-së në Srebrenicë” më 11 korrik 1995, këta boshnjakë përpiqeshin të largoheshin fshehurazi drejt territorit të kontrolluar nga Ushtria e Republikës së Bosnjë-Hercegovinës. Nermini e dëgjoi, doli nga vendi ku ishte fshehur dhe të dy, atë e bir, u ekzekutuan. Trupat e tyre u gjetën dhe identifikuan në një varr masiv në vitin 2008.
Rezoluta, e miratuar mes kundërshtimit të ashpër nga serbët, dënon mohimin e gjenocidit, një gjë që vazhdimisht po bëhet nga zyrtarët serbë në Bosnje dhe Serbi.
Fushata intensive diplomatike e ndërmarrë nga Serbia kundër kësaj rezolute shpalosi haptazi kthimin e tendencave hegjemoniste dhe demaskoi përpjekjet e lidershipit të Beogradit për të amballazhuar veten si një vend demokratik evropian të transformuar dhe të distancuar nga e kaluara e errët e viteve ’90. Përpjekjet për të revizionuar të kaluarën dhe për të glorifikuar xhelatët, refuzimi për të mbajtur përgjegjësi dhe për të treguar pendesë, dhe tendenca për t’u vetë-viktimizuar janë të gjitha këmbana alarmi për Kosovën, e cila nuk ka bërë asnjë përpjekje serioze për të luftuar manipulimin e së kaluarës.
Thënë ndryshe, miratimi i rezolutës duhet të shërbejë si një leksion për nevojën që kemi për të mbajtur gjallë të vërtetën historike, qoftë Republika e Kosovës, qoftë ajo e Shqipërisë. Fatkeqësisht, nisma e Kadri Veselit gjatë vitit 2019 për të ndërmarrë veprime intensive në kuadër të kujtesës kolektive dhe drejtësisë tranzicionale, që do të synonin krijimin e një muzeu, një memoriali për gjenocidin, si dhe të një instituti të posaçëm kërkimor, ka ngelur në sirtarët e pluhurosur të Kuvendit të Kosovës.
Njëzet vjet më parë, Dragan Čavić, presidenti i entitetit serb të Bosnjës në Bosnjë dhe Hercegovinë, iu drejtua vendit drejtpërdrejt në televizion duke thënë: “…pas gjithë kësaj, fillimisht si një njeri dhe serb, pastaj si baba, vëlla dhe djalë, dhe vetëm pas tyre si president i Republikës Srpska, duhet të them se ato nëntë ditë të korrikut, të tragjedisë së Srebrenicës, përfaqësojnë një faqe të zezë në historinë e popullit serb.” Po ashtu, një dekadë më parë, Aleksandër Vuçiq bëri homazhe dhe vendosi lule në memorialin e Srebrenicës dhe foli për reflektim dhe pajtim, pavarësisht se qytetarët e pranishëm e dëbuan me gurë. Këto dy episode domethënëse duken sikur janë vite drite larg sepse sjelljet dhe retorika e sotme e udhëheqjes së Beogradit dhe Banja Lukës duket sikur i përkasin më shumë shekullit të 19-të sesa atij të 21-të.
Mungesa e ndjesisë së fajit dhe pendesës që po tregohet sot nga Serbia është dëshmi e një ngulitjeje të madhe të mentalitetit shovinist dhe dekurajon çdo shpresë për evropianizim të kësaj shoqërie. Kjo situatë të jep një ndjesi deja vu për vitet ’90, kur kishte zëra që kërkonin përfshirjen e popullisë shqiptare të Kosovës në mbështetje të opozitës në proceset zgjedhore të brendshme të Serbisë.
Asokohe Kadareja thoshte se këto iluzione për emancipimin dhe demokratizimin e shpejtë të brendshëm të Serbisë nuk duheshin ushqyer. Ai merrte shembullin e njeriut më të madh të letrave të Serbisë, nobelistit Ivo Andriq, i cili në vitin 1939, gjatë kohës që ishte ambasador në Gjermani, shkroi një referat ku propozonte copëzimin e Shqipërisë si dhe dëbimin dhe asimilimin e shqiptarëve. Pra, kur maja e botës intelektuale serbe kishte mendime gjenocidiale ndaj shqiptarëve, mund të imagjinohet se çfarë urrejtje kultivohej në pjesë të tjera të shoqërisë.
Një situatë e ngjashme ndodhi 80 vjet më pas, në vitin 2019, me Ana Brnabiq-in, ish-kryeministren serbe që tashmë është bërë kryeparlamentare. Brnabiq ka lindur në Beograd dhe ka qenë një ndër liderët e parë shtetërorë haptazi lesbike, ish-aktiviste e organizatave të ndryshme të shoqërisë civile, konsulente në organizata dhe kompani ndërkombëtare dhe menaxhere e projekteve të mëdha investimesh, pra hamendësohet që është super-kozmopolitane, urbane apo mendjehapur. Mirëpo, pavarësisht këtyre kredencialeve që të lënë përshtypjen se ajo është demek “qytetare e botës” ajo u bë zëdhënëse e mentalitetit më të ulët shovinist duke i quajtur shqiptarët “njerëz të zbritur nga mali”. Kur ajo që vjen nga elita e Beogradit manifeston haptazi racizëm kulturor, kush e di se çfarë mendojnë qytetarët përiferikë të Kragujevacit apo Krushevacit.
Aktualisht, Serbia është duke shfrytëzuar izolimin ndërkombëtar të Kosovës dhe largimin prej Ballkanit të vëmendjes së Perëndimit për shkak të dy vatrave të mëdha të konfliktit (Ukraina dhe Gaza) për të ndërmarrë një revansh të mirëfilltë duke treguar se “ujku e ka hedhur tutje tashmë petkun e deles”. Kjo u dëshmua më së miri me sulmin në Banjskë. Qeveria e krijuar në fillim të majit që në përbërje ishte një sfidë ndaj Perëndimit duke përfshirë dy persona famëkeq non grata, Aleksandar Vulin dhe Nenad Popoviq. Fjalimi inaugurues i kryeministrit ishte gjithashtu një heqje e maskës nga ana e Serbisë duke u rikthyer tek tezat e dikurshme të supremacisë etno-centrike serbe, të partneritetit me Rusinë dhe Kinën, e madje duke folur kundër pavarësimit të Malit të Zi sepse ka pamundësuar daljen në det.
Ky rikthim tek revizionizmi dhe shovinizmi i Serbisë duhet të shërbejë si mësim për ata shqiptarë naivë të Republikës së Shqipërisë, që kompleksiohen nga Beogradi apo ish-Jugosllavia dhe kishin iluzionet se veç “Ballkani i Hapur” befas do hapte një kapitull të ri bashkëjetese mes serbëve dhe shqiptarëve, të shkëputur nga e kaluara. Rikthimi duhet parë si kërcënim për rajonin në përgjithësi dhe interesat e shqiptarëve në veçanti, prandaj kërkohet që liderët e Tiranës dhe Prishtinës t’i linin anash egot dhe hatërmbetjet personale dhe të bashkëpunonin ngushtë në interes të kombit dhe stabilitetit të rajonit. Është e papranueshme që dy shtetet shqiptare të kenë këtë marrëdhënie kaq të akullt ndërkohë që Serbia është në kundërmësymje e po fiton terren në arenën ndërkombëtare.
Për më tepër, miratimi i rezolutës së Srebrenicës në OKB duhet trajtuar edhe si një leksion për marrëdhënien tonë me partnerët. Mbështetja që u dha për rezolutën në OKB prej partnerëve tanë vuri sërish në dukje përkushtimin e tyre për të mbrojtur parimet universale të liberal-demokracisë si dhe për të qëndruar me çdo kusht në anën e drejtë të historisë. Vota e dhënë sqaroi njëherë e mirë se cilët janë aleatët e vërtetë të Kosovës në këtë konjukturë komplekse të marrëdhënieve diplomatike dhe ritheksoi rëndësinë që ka ruajtja e aleancës me ta si sytë e ballit. Thënë ndryshe, vota për rezolutën duhet të shërbejë si përkujtesë se sa vendimtare ka qenë mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë në progresin e Kosovës, nga çlirimi, shpallja e pavarësisë e deri te njohja e saj.
Për vite me radhë, me mentalitetin e tij totalitar, Kurti ka kultivuar një qasje në publik ku çdo mendim ndryshe trajtohet si armiqësi ndaj Kosovës, pavarësisht nëse këto qëndrime alternative vijnë nga aleatët më të afërt të cilët kanë qenë vendimtarë për çdo arritje që gëzon Kosova. Mjafton të lexohen reagimet dhe komentet e shumta të helmatisura që shkruhen nga shqiptarët në postimet për Kosovën të rrjeteve sociale të diplomatëve perëndimorë, për të kuptuar se sa thellë është futur ky toksicitet i ushqyer nga Vetëvendosja. Fillimisht qenë pretendimet e anti-amerikane të Kurtit “për thika mbi hartën e Kosovës” që kërkonte ta transferonte dialogun në duart e Bashkimit Evropian, meqenëse, sipas tij, “ne nuk ishim në Meksikë por në Evropë”. Mandej, kur edhe përfaqësuesit diplomatikë të BE-së, Borell e Lajçak, nuk pajtoheshin me sjelljen kryeneçe e aventureske të Kurtit, ata akuzoheshin se ishin shërbëtore të Serbisë.
Prandaj ky rikthim i Serbisë në rrënjët e veta tradicionale dhe miratimi i rezolutës së Srebrenicës duhet të shërbejë, mes të tjerave, edhe si një thirrje vetëdijësimi që ruajtja e marrëdhënieve të forta me Perëndimin mbetet thelbësore për mbijetesën, stabilitetin dhe përparimin e Kosovës. Duhet të çojë në një ndryshim radikal kursi nga qeveria e Kosovës për të lënë mënjanë retorikën agresive ndaj aleatëve dhe për të kultivuar një qasje më konstruktive e racionale, duke dëshmuar mirënjohje dhe respekt për kontributin e deritanishëm e duke kuptuar dhe pranuar se mendimet e ndryshme nuk janë domosdoshmërisht armiqësore apo dashakeqe.