Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, paralajmëron se pa demarkacion, nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën. Ndërsa, nëse miratohet Marrëveshja në Kuvend, atëherë prej nëntorit të këtij viti mund të lëvizim lirshëm në BE
Pa ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nuk do të ketë liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian (BE) dhe kjo është përfundimtare, ka thënë Çollaku, në një intervistë për “Zërin”.
Madje, pasojat e mosratifikimit të demarkacionit do të jenë edhe më të gjera. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për “Zërin”, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.
Prandaj, Çollaku beson se te deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbizotërojë arsyeja dhe mbi të gjitha argumenti, duke vendosur në përputhje me interesat shtetërore dhe të qytetarëve të vendit.
“Mirëpo çfarëdo qoftë vendimi në Kuvend ne duhet ta respektojmë. Në rast të dështimit, atëherë sigurisht që do të ketë pasoja jo vetëm për vendin dhe jo vetëm për procesin e liberalizimi të vizave, por edhe më gjerë”, ka thënë Çollaku, duke shtuar se nëse Kosova e ratifikon Marrëveshjen për Demarkacionin, atëherë gjithçka do të mbetet në dorë të institucioneve të BE-së. Rrjedhimisht ai shton se deri më së largu deri në muajin nëntor qytetarët e Kosovës do të mundë të udhëtojnë pa viza.