Nëse mban syze, ka një lajm të mirë; ju mund të jeni më të zgjuar se një person mesatar…një studim i publikuar në gazetën Nature Communications ka dalë në përfundimin se nevoja për të mbajtur syze është e lidhur me nivele më të larta inteligjence.
Por, mbase ju e dinit këtë, që më parë. Në studim, më i madhi i këtij lloji, kërkuesit nga Universiteti i Edinburgut kanë analizuar të dhëna gjenetike dhe të fituara nga mbi 300 mijë persona të moshës nga 16 deri në 102 vjeç, TRANSMETON “Koha Jonë”.
Analiza e tyre tregoi një avantazh domethënës gjenetik mes funksioneve të përgjithshme njohëse, kohës së reagimit, dhe shumë avantazhe të tjera shëndetësore, përfshirë shikimin, hipertensnionin dhe jetëgjatësinë, tek personat që mbajnë syze. Personat që rezultonin më inteligjentë, kishin rreth 30 për qind më shumë mundësi të kishin gjene që tregonin se ata duhet të mbanin syze.
Ndërsa të qenit më inteligjent mund të ketë lidhje me shikim të dobët, kjo lidhet edhe me një seri përfitimesh shëndetësore. Kërkuesit zbuluan marrëdhënie negative mes funksionit njohës dhe një numri problemesh shëndetësore, përfshirë anginën, kancerin në mushkëri dhe depresionin.
Sidoqoftë, është e rëndësishme të mbahet parasysh se të gjitha këto janë thjeshtë lidhje, por jo përfundimtare. Dhe po ashtu ia vlen të nënvizosh se inteligjenca është subjektive dhe mund të jetë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të matet.
Duke lënë mënjanë gjenetikën, ka edhe shumë prova emipirke që tregojnë se mbajtja e syzeve, ke apo nuk ke nevojë për to, i bën njerëzit të mendojnë se jeni më inteligjent. Janë të shumta studimet që kanë dalë në përfundimin se njerëzit që mbajnë syze perceptohen si më të zgjuar, më të besueshëm dhe më të ndershëm e madje kjo është edhe arsyeja përse shumë avokatë mbrojtës, i detyrojnë klientët të mbajnë syze në procese.