Nëse nuk hudhen akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëgjimi i dy dëshmitarëve të mbrojtësit të viktimave fillon më 16 korrik

Prishtinë | 07 Kor 2025 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, është marrë vendim që në rast që nuk hudhen akuzat ndaj tyre sipas mocionit të mbrojtjes, atëherë mbrojtësi i viktimave do të fillojë me çështjen e tij më 16 korrik 2025.

Sipas vendimit të 3 korrikut 2025, mbrojtësi i viktimave i ka vetëm dy dëshmitarë ekspertë, të cilët do të dëshmojnë së bashku, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në njoftimin e mbrojtësit të viktimave, thuhet se dëshmia e këtyre dy dëshmitarëve do të zgjasë rreth 9 orë, duke marrë parasysh edhe marrjen në pyetje nga palët e tjera në procedurë.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Të ngjashme