“Nëse puna e papaguar do të ishte numëruar në Kosovë, gratë do të paguheshin 30 për qind më shumë se burrat”

Prishtinë | 16 Sht 2024 | 20:12 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Fondacioni “Friedrich Ebert” në Prishtinë ka organizuar konferencë me temën “Puna e dyfishtë dhe puna e papaguar e grave në Kosovë”, ku u trajtua perspektiva gjinore në punën e kujdesit pa pagesë dhe ndërrimin e dyfishtë, raporton Ekonomia Online.

Pas premierës së video-performancës artistike “Vitruvian Woman” nga artistja feministe Ms. Indefinite, ngjarja ka vazhduar me një panel diskutimi, ku mori pjesë Dita Dobranja, ekonomiste gjinore, Visar Ymeri, nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Luljeta Demolli, nga Qendra Kosovare për Studimi Gjinore dhe Hana Bacaj, nga UBO Consulting.

Ekonomistja Dita Dobranja ka thënë se nëse puna e papaguar do të ishte numëruar në Kosovë, gratë do të paguheshin 30 për qind më shumë se burrat.

“E kam bërë një kalkulim shumë të thjeshtë sa më shumë do të fitonin gratë nëse puna që e kryejmë në shtëpi do te ishte paguar me pagë mesatare. Në vitin 2017 e kemi bërë këtë kalkulim si diçka që dihet që gratë pavarësisht a punojnë apo jo ato e mbajnë barrën e punës së papaguar. 3 orë plus gratë kryejnë punë te shtëpisë gratë do të paguheshin 1/3 më shumë nëse numërohet edhe puna e papaguar. Gratë nuk janë duke ndenjur në shtëpi”, ka thënë Dobranja.

Kurse, drejtori ekzekutiv në Institutit për Politika Sociale Musine Kokalari, Visar Ymeri ka potencuar se arsyet e këtij hulumtimi janë tri çështje kryesore dhe ato janë kush i bën këto punë, çfarë roli ka në shoqëri dhe a konsiderohet punë. Sipas tij, 44 për qind e grave angazhohet në punët e shtëpisë më shumë se burrat.

“Arsyet e këtij hulumtimi kanë qenë interesimi i tri çështjeve, e para ka qenë se kush i bënë këtë pune, çfarë roli ka ne shoqëri për këto detyra.  E dyta ka qenë me pa në aspektin shoqëror, a konsiderohet kjo punë dhe e treta në që masë që po riprodhohet në shoqëri. 44 për qind e grave angazhohen me shumë në punët e shtëpisë se burrat”.

Luljeta Demolli, drejtoreshë në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore ka deklaruar se matjet që janë bërë në Kosovë për orët e papaguara janë të pasakta, sepse sipas saj, gratë përveç kujdesit në shtëpi ato e mbajnë shtetin me punën e tyre në fusha te ndryshme.

Tutje, Hana Bacaj, udhëheqëse e hulumtimeve në UBO Consulting ka theksuar se matjet në Kosovë janë shumë të kushtueshme dhe të pamundura, ndërsa ka shtuar se pjesa kryesore është njohja e punës së papaguar.

Konferenca ka qenë pjesë e aktiviteteve të bashkëpunimit në mes të Friedrich Ebert Stiftung, Indefinite Institute dhe Institutit për Politike Sociale Musine Kokalari që organizohen si vazhdimësi e të gjeturave të analizës gjinore të FES.

Të ngjashme