Nesër aksion pastrimi në Batllavë

Prishtinë | 10 Tet 2018 | 15:14 | Nga Ekonomia Online

“Let’s Do It Kosova” njofton se nesër do të mbahet aksion pastrimi në afërsi të Liqenit të Batllavës.

Aksioni do të fillojë në orën 11:00, ndërsa përveç vullnetarëve të “Let’s Do It Kosova”, do të marrin pjesë edhe komuniteti lokal si dhe një grup nxënësish.

Ky aksion është bashkë-organizuar me Task Forcën e Komunës së Podujevës, që është themeluar në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.

“Në kuadër të aksionit të nesërm do të pastrohen tri deponi ilegale të mbeturinave si dhe hapësirat përreth liqenit (500 m gjatësi), si dhe lokacioni i cili parashihet të shndërrohet në park. Për pastrimin e këtyre lokacioneve, përveç vullnetarëve të shumtë, do të angazhohet edhe Kompania ‘Natyra’ me ekskavatorë dhe kamionë për largimin e mbeturinave”, thuhet në njoftimin e LDIK.

“Let’s Do It Kosova” u bën thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në aksionin e nesërm për largimin e mbeturinave nga hapësira afër liqenit të Batllavës si dhe të bëhen pjesë e aktiviteteve që po organizohen në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Po ashtu, të gjithë të interesuarit për pjesëmarrje në aktivitete të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” mund të regjistrohen si vullnetarë në www.tapastrojmekosoven.org

Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” financohet nga Qeveria e Kosovës, ndërsa implementohet nga Let’s Do It Kosova. Këtë vit fushata ka filluar më 15 shtator, ndërsa do të zgjasë deri më 15 dhjetor 2018.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme