Në mbledhjen e Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është vendosur që nga dita e nesërme të hapet konkursi për pranimin e studentëve të rinj të nivelit Bachelor në këtë universitet, raporton Ekonomia Online.
Rektori i UP-së, Marjan Dema ka thënë se kanë marrë edhe zyrtarisht vendimin nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për pranimin e studentëve të rinj për nivelin Bachelor.
“ Sot në ora 10:00 kemi marrë vendimin nga MAShT-i, për pranimin e studentëve. UP-ja ka 13 fakultete dhe shumë programe studimore. Ne i kemi kushtet e regjistrimit të cilat i kemi zbatuar vitet e kaluara, nëse ndonjë Fakultet ka ndryshim na informoni. Nesër do të shpall në uebfaqe konkursin, por pranimi i pagesave fillon nga dita e hënë. Kjo shtyrje është e imponuar shkaku i vikendit”, ka thënë rektori Dema.
Kurse dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, ka thënë se vonesat kanë shkaktuar edhe probleme të tjera. Ai ka thënë se gjatë regjistrimit do të ballafaqohen me probleme administrative.
“Nuk është menaxhim i duhur ky sepse atë ditë që është shpallur rezultati i maturës, atë ditë është dashur të hapet edhe konkursi për pranimin e studentëve”, ka thënë Dugolli.