Artur Mrasori, pjesëtari i Policisë së Kosovës i cili mbeti i plagosur në një aksion të policisë në fshatin Zhur të Prizrenit, nesër në orën 18:00 pritet të kthehet në Kosovë nga Turqia, ku kishte qenë për trajtim mjekësor nga 30 janari i këtij viti.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar drejtori i policisë, Rashit Qalaj, i cili tha se Policia e Kosovës do të organizojë pritje zyrtare në Aeroportin e Prishtinës dhe pastaj do ta shoqërojë Mrasorin për në shtëpinë e tij në Prizren.
Mrasori u plagos mbrëmjen e 28 janarit si pasojë e një shpërthimi gjatë bastisjes së shtëpisë së Iron Badallajt, në fshatin Zhur të Prizrenit, ku mbet i vdekur polici Sami Thaçi dhe u plagosën edhe kolegu i tij, Jetmir Hasanaj dhe një fëmijë i moshës rreth 9-vjeçare i familjes ku po bastisej shtëpia.
Për të siguruar një trajtim të mëtutjeshëm për gjendjen e tij, Mrasori ishte dërguar në një spital në Turqi nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore të Kosovës.