Në shënimin e 19 Qershorit – Dita Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte – Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me Medica Gjakova (MGJ), do të lansojë kampanjën ‘Bëhu zëri im.’
‘Bëhu zëri im’, ka për qëllim që përmes ndërgjegjësimit të shoqërisë mbi pasojat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të promovojë qasjen gjithëpërfshirëse dhe trajtimin e dinjitetshëm për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Kampanja synon luftimin e stigmës dhe paragjykimeve shoqërore karshi viktimave – të mbijetuar të dhunës seksuale.
Po ashtu, ‘Bëhu zëri im’ bën thirrje për mbështetje më të fuqishme, brenda familjes, komunitetit dhe shoqërisë në inkurajimin e viktimave për aplikim për njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale.
“Për gati dy dekada, viktimat e dhunës seksuale qëndruan të heshtura, të nëpërkëmbura dhe të margjinalizuara. Një pjesë e mirë e fajit dhe përgjegjësisë për këtë stigmatizim dhe harresë, vjen nga heshtja kolektive shoqërore që mbretëron qysh nga përfundimi i luftës.
Padyshim, që kjo situatë në të cilën ndodhen ato, është e papranueshme për një shoqëri që mëton standarde demokratike. Një kohë të gjatë, ato mbetën pa mbështetje, të braktisura dhe të përbuzura. Kështu që, përveçse viktima të krimit e të dhunimit, ne lejuam që ato të shndërroheshin edhe në viktima të përjashtimit, padrejtësisë dhe braktisjes shoqërore.
Andaj, sot ka ardhur koha, që përtej njohjes dhe mbështetjes institucionale, ne të bëhemi zëri i tyre, aty ku jemi, në punë, në shkollë, në institucione, në familje….dhe kudo tjetër. Pra t’i japim zë të pazëshmëve!
Eja edhe ti, bëhu zëri i tyre!”, thuhet ne njoftimin për medie.