Vendimi për masën e sigurisë për tre të dyshuarit për vrasjen e rëndë të dy zyrtarëve të UNMIK-ut dhe për tentim vrasjen e rëndë të dy zyrtarëve të tjerë të këtij misioni në vitin 2004 pritet të merret nesër nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Prokurori Special i EULEX-it, Danilo Cecarelli ka kërkuar që ndaj tre të dyshuarve të caktohet masa e paraburgimit, njofton Klan Kosova.
Mbrojta e të dyshuarve e ka kontestuar këtë kërkesë të prokurorit duke u bazuar në faktin se sipas tyre ata po akuzohen për një rast që është gjykuar më herët e për të cilin nuk ka prova.
Dy prej të dyshuarve, Bajram Kiçmari dhe Alban Dizdari janë arrestuar dje pas një operacion kërkimi si pjesë e hetimeve penale nga Prokuroria Speciale të kryer nga Policia e EULEX-it dhe Policia e Kosovës.
Në ndërkohë që i dyshuari i tretë i këtij rasti, Faik Shaqiri është ekstraduar gjatë natës së mbrëmshme nga Gjermania.