Nesër protestë në shenjë revolte pas vrasjes së shtatzënës

Prishtinë | 30 Nën 2022 | 21:14 | Nga Ekonomia Online


Besarta Breznica, nga Rrjeti i Grupit të Grave në Kosovë, ka njoftuar se ditën e nesërme në ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, do organizohet një protestë në shenjë revolte për vrasjen e një gruaje shtatzënë në oborrin e QKUK-së.

Breznica tha për Tëvë1 se nga ky rast i fundit i cili ndodhi sot në orët e para të mbrëmjes, pasqyron edhe njëherë se gratë në Kosovë nuk janë të sigurta në asnjë hapësirë, qofshin ato publike apo private.

“Raste të tilla na tregojnë dhe na shpërfaqin edhe njëherë se si gratë dhe vajzat nuk janë të sigurta as në hapësira publike e as në hapësira private. Vajzat dhe gratë nuk janë të sigurta as në hapësira shëndetësore e as edukative. Çka ne mund të themi deri tash është që institucionet tona nuk respektojnë legjislacionin që ne e kemi në fuqi. Gratë në Kosovë vriten vetëm për faktin se janë gra. Andaj Rrjeti i Grave të Kosovës nesër në ora 12:00 organizon protestë tek sheshi Zahir Pajaziti dhe ftojmë të gjithë ata që e bashkëndjejnë atë se çka ka ndodhur, të na bashkohen”, deklaroi Breznica në emisionin “Këndi i Debatit”.

Kujtojmë se një grua është vrarë para Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Gruaja që mbeti e vrarë ishte shtatzënë.

Të ngjashme