Nesër shpallet aktgjykimi ndaj Albin Kurtit

Prishtinë | 02 Jan 2018 | 11:34 | Nga

Pak më shumë se dy vjet pas ngritjes së aktakuzës për hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës, katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nesër do të mësojnë epilogun e gjykimit të tyre.

Kjo pasi që Gjykata Themelore e Prishtinës nesër nga ora 13:00 do të shpallë aktgjykimin ndaj Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Faton Topallit dhe Donika Kadaj- Bujupit.

Të katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje akuzohen për hedhje të gazit në seancën e Kuvendit të Kosovës me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

Pas shumë seancave gjyqësore, ku u panë përballje të ashpra verbale e nganjëherë edhe ofendime, trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës do të vendosë për fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve.

Gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se veprimet e tyre ishin vetëm në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, duke parandaluar kështu një të keqe të madhe që po i kanosej Kosovës, apo siç e quajtën ata “faljen e mijëra hektarëve tokë dhe bosnjëzimin e Kosovës”.

Madje, prej disa prej të akuzuarve u tha se ndihen krenarë për veprimet që i ndërmorën ndërsa se veprimet e tyre ishin të drejta, të gjithë deputetët e akuzuar të këtij rasti përmenden vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që gjeti se disa prej pikave të Marrëveshjes për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, nuk ishin në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Krejt këto argumente nuk e bindën prokurorin e rastit, Valdet Gashi, i cili kërkoi nga Gjykata që t’i shpallë fajtorë të akuzuarit sepse sipas tij është provuar se ata e kanë kryer veprën penale.

Pjesë e këtij gjykimi në cilësinë e dëshmitarëve ishin edhe disa deputetë dhe ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës, si Flora Brovina, Blerta Deliu-Kodra, Nuredin Ibishi, Xhavit Haliti, Bekim Haxhiu dhe Armend Zemaj.

I propozuar për t’u dëgjuar si dëshmitarë ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, por prokurori çuditërisht u tërhoq nga dëgjimi i dëshmisë së tij.

Nesër, Gjykata Themelore e Prishtinës do t’u jap epilog të gjitha këtyre pretendimeve duke shpallur aktgjykimin lidhur me pretendimet e prokurorisë dhe të akuzuarve. /kallxo.com/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme