Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të martën se nëse vendi i tij detyrohet që të zgjedhë mes mungesës së mosmarrëveshjeve me Shtetet e Bashkuara dhe mbrojtjes së vendit nga kërcënimi bërthamor i Iranit, do ta zgjedhë të dytën.
Duke folur në ceremoninë e ndërrimit të drejtorit të agjencisë izraelite të inteligjencës, Mossad, me ç’rast detyrën e mori David Barnea, Netanyahu tha se Izraeli duhet të bëjë gjithçka për t’u siguruar se Irani në asnjë rrethanë nuk do të arrijë të armatoset me armë bërthamore, shkruan Times of Israel.
“Kërcënimi më i madh kundër nesh është kërcënimi ekzistencial që paraqitet nga përpjekja e Iranit për ta armatosur veten me armë bërthamore”, tha Netanyahu, duke shtuar se mes raporteve me ShBA-në dhe neutralizimit të Iranit, “eliminimi i kërcënimit ekzistencial triumfon”.
Me këtë deklaratë si duket nuk u pajtua ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz, i cili më vonë tha se Shtetet e Bashkuara janë aleatja më e madhe e Izraelit për ruajtjen e sigurisë. “Izraeli nuk ka dhe nuk do të ketë partnere më të mirë se ShBA-ja”, tha Gantz.
“Edhe nëse ka mosmarrëveshje, ato do të zgjidhen prapa dyerve të mbyllura e jo me retorikë mospërfillëse që mund ta dëmtojë sigurinë e Izraelit”, tha më tej Gantz.
Ndryshe, partitë opozitare në Izrael kanë afat deri të mërkurën në mesnatë që ta paraqesin marrëveshjen e koalicionit te presidenti. Nëse ato arrijnë ta sigurojnë shumicën, Netanyahu – kryeministri me pushtetin më të gjatë në histori të Izraelit – do të shkojë në opozitë.