Netanyahu: Ende herët për të thënë nëse Irani qëndron pas sulmit në avion

Prishtinë | 01 Tet 2026 | 11:59 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se është ende herët të përcaktohet nëse Irani ka pasur ndonjë përfshirje në incidentin në një avion të “Flydubai”, ku një pilot dyshohet se ka goditur me thikë kolegun e tij dhe është përpjekur të marrë kontrollin e avionit.

Avioni, i cili po udhëtonte nga Dubai drejt Tel Avivit me 174 persona në bord, pësoi një rënie prej më shumë se 5 mijë metrash në lartësi, rreth dy orë pas nisjes.

 Pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit arritën ta neutralizonin sulmuesin, ndërsa avioni u ul i sigurt.

Piloti i plagosur, shtetasi indian Smit Machchhar, ndodhet në spital në gjendje të qëndrueshme. Netanyahu e ka cilësuar atë si “një hero të vërtetë”, shkruan BBC.

 Një pasagjer ka treguar se e kishte kapur sulmuesin në një mbërthim në qafë, ndërsa pasagjerë të tjerë e ndihmuan për ta neutralizuar.

I dyshuari është arrestuar në Arabinë Saudite dhe pritet të transferohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, prej nga ishte nisur avioni.

 Netanyahu tha se aktualisht nuk mund të konfirmohet ndonjë lidhje me Iranin, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se sulmuesi mund të ketë qenë terrorist ose se mund të ketë pasur arsye të tjera për sulmin.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e ka cilësuar ngjarjen si një “tentativë sulmi terrorist xhihadist”, ndërsa Netanyahu tha se Izraeli nuk kishte paralajmërim apo informacion paraprak për incidentin. Sipas të dhënave të fluturimit, avioni sinjalizoi fillimisht emergjencë dhe më pas kodin për rrëmbim, para se të niste zbritjen drejt Arabisë Saudite.

Të ngjashme