Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, fajësoi rrjetin televiziv Al Jazeera për nxitje të dhunës në Jeruslaem dhe tha se do ta dëbojë atë nga Izraeli.
Rrjeti me seli në Katar dhe mediat e tjera kanë mbuluar dhunën, e cila ka shpërthyer pasi palestinezët kanë kundërshtuar masat e ashpra të sigurisë pranë kompleksit të xhamisë Al-Aqsa në Jerusalem.
Vendi konsiderohet i shenjtë edhe nga myslimanët, edhe nga hebrenjtë.
Tre izraelitë dhe katër palestinezë kanë vdekur nga dhuna qysh në fundjavë.
“Rrjeti Al Jazeera vazhdon të nxisë dhunë rreth Malit të Tempullit”, tha Netanyahu duke iu referuar lokacionit të shenjtë.
“Kam folur disa herë me autoritetet e sundimit të ligjit për të kërkuar mbylljen e zyrës së Al Jazeera-s në Jerusalem. Nëse kjo nuk ndodh për shkak të interpretimit ligjor, unë do të punoj për miratimin e legjislacionit për dëbimin e Al Jazeera-s”, tha Netanyahu në një postim në Facebook.
Izraeli vazhdimisht e ka akuzuar Al Jazeera-n për anim në mbulimin e konfliktit izraelito-palestinez.
Rrjeti televiziv nuk e ka komentuar menjëherë deklaratën e Netanyahut.
Disa shtete arabe kërkojnë po ashtu mbylljen e rrjetit, të cilin e akuzojnë për nxitje të ekstremizmit.