Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, qëlloi në tollovinë e krijuar sot te salla 1 Tetori në Prishtinë. I pyetur lidhur me menaxhimin e pandemisë nga Qeveria Kurti, ai tha se ‘fillimi i qeverisjes nuk është premtues’.
Por, Daci thotë se ‘ndoshta Qeveria e re do të fitojë përvojë’ dhe do të ‘veprojë në realitetin që po ndodhë në Kosovë.
“Nuk është premtuese, fillimi nuk është premtues, atë që e kemi pritë të gjithë qytetarët, megjithatë do të fitojnë pak përvojë, do të veprojnë më shumë në realitetin që duhet të ndodhë në Kosovë. Është një axhamillëk edhe duhet të mësohemi kadal-kadal”, tha Daci për Periskopin.
Pamjet nga qendra e vaksinimit në Prishtinë, kanë alarmuar akterë të ndryshëm në Kosovë.
Nga shoqëria civile kanë kërkuar përgjegjësi penale nga Ministria e Shëndetësisë për pamjet e sotme skandaloze.
Nga opozita, poashtu kanë kërkuar llogari për keqmenaxhimin e pandemisë. Reagime shumë kishte edhe nga analistë e gazetarë të njohur.
Vet Ministria e Shëndetësisë në mëngjes ka publikuar një njoftim ku thotë se ‘oraret njoftuese rreth vaksinimit të qytetarëve janë publikuar dje’.
Ka qenë edhe partia në pushtet, Vetëvendosja, ajo që i doli në mbrojtje ministrit Vitia, nëpërmjet një reagimi – njoftimi – ku shpjegonte se si MSh-ja i ka publikuar dje oraret e vaksinimit. Por edhe ndaj këtij njoftimi, ka pasur reagime të ashpra, duke e llogaritur si ndërhyrje të një partie në shtet.