Analisti politik Nexhmedin Spahiu kritikoi LDK-në se si i hyri garës për zgjedhjet e 6 tetorit. Ai figurativisht tha se kjo parti e prezantoi Vjosa Osmanin si nuse, ndërsa nën duvak qëndroi Isa Mustafa.
Sipas tij kjo metodë e LDK-së po ndikon në bllokimin e arritjes së koalicionit me Vetëvendosjen, njofton Klan Kosova.
“Interesat e Kurtit dhe të Vetëvendosjes janë të përputhshme, por e kundërta është me LDK-në ku interesat e partisë dhe Isa Mustafa nuk janë të përputhshme. Tjera interesa ka elektorati i LDK-së dhe tjera ka Isa Mustafa”.
“Kur Kurti ka shkuar që të flasë me LDK-në ka folë me Mustafën për postin e kryeparlamentarit. Ky i fundit s’është i interesuar fare për këtë post dhe nuk ka dashur me ia dhënë. Në një situatë hipotetike kryetari i parlamentit nuk ka fort rëndësi. Nëse do të bëhej Vjosa Osmani kryeparlamentare do të vijnë zgjedhjet për president. Duke e ditur Musafa që ndërkombëtaret e përkrahën Osmanin para tij, ai është i frikësuar sepse ajo do të bëhej ushtruese e detyrës në rast se nuk votohet ai dhe duke qenë edhe nënkryetare e LDK-së mund të zgjedhet ajo presidente”.
Spahiu në Info Magazine tha se nëse Vjosa Osmani do të pranonte postin e zëvendëskryeministres nuk do të ishte e barabartë.
A do të arrihet marrëveshja sipas Spahiut?
“Kur do të vijnë minutat e fundit, kur të lodhet opinioni do të bëjnë koalicion dhe unë besoj që do ta bëjnë sepse dështimi i këtij koalicioni për Kurtin është fatal. Në mund të paragjykojmë që Vetëvendosja nëse shkon në zgjedhje mund të merr më shumë vota, por kjo nuk dihet sepse njerëzit mund të thonë se ia dhamë shancën Kurtit por s’e bëri”.
Spahiu tha se Kurti është i gatshëm që të ballafaqohet me sfidat e shtetit në të ardhmen duke thënë se para se ai t’i hynte garës për kryeministër “ka marrë aprovimin e amerikanëve”.
Ai gjithashtu paralajmëroi se nëse shkohet në zgjedhje të reja atëherë PAN do të rikthehet në pushtet.