Liga Nacionale e Futbollit Amerikan (NFL) ka pranuar se ka gabuar që nuk ka dëgjuar lojtarët që kanë luftuar për barazi racore dhe i ka inkurajuar ata që të protestojnë në mënyrë paqësore.
Kërkim falja ka ardhur një ditë pasi një numër i lojtarëve liderë të NFL-së, duke përfshirë Patrick Mahomes dhe Odell Bekcham Jr, i bënë thirrje ligës që të dënojë racizmin dhe shtypjen sistematike të afroamerikanëve.
Në shumë pjesë të botës po protestohet që nga vdekja e George Floyd, një afroamerikani të paarmatosur, të cilit një polic ia kishte mbajtur gjurin në qafë për mbi tetë minuta. Kjo kishte ndodhur në Minneapolis më 25 maj.
“Ne, NFL-ja, dënojmë racizmin dhe shtypjen sistematike të zezakëve”, ka thënë komisioneri i NFL-së, Roger Goodell në një video-incizim.
“Ne, NFL-ja, pranojmë që kemi gabuar që nuk kemi dëgjuar lojtarët e NFL-së më herët dhe i inkurajojmë të gjithë që të flasin dhe të protestojnë në paqe”, ka shtuar Goodell.
Ai nuk e ka përmendur ish-lojtarin e San Franciscos, Colin Kaepernick, që kishte filluar të ulej në gju gjatë intonimit të himnit që në vitin 2016. Ai ishte dënuar nga NFL-ja për këtë dy vjet më vonë.
“Unë personalisht protestoj me ju dhe dua të bëhem pjesë e ndryshimit shumë të nevojshëm në këtë vend”, ka shtuar komisioneri i NFL-së.
“Pa lojtarë zezakë nuk do të kishte NFL dhe protestat në gjithë vendin janë emblematike për heshtjet shekullore, pabarazinë dhe shtypjen e lojtarëve, trajnerëve, tifozëve dhe pjesëtarëve të stafit zezakë”.
Goodell ka thënë se do të jetë në kontakt me lojtarët që kanë ngritur zërin ndaj ligës. Ai ka thënë se “ishte kohë e vështirë për vendin tonë, sidomos për zezakët në vendin tonë”.
Lojtari Drew Brees i ka kërkuar presidentit të SHBA-së, Donald Trump që të pranojë problemin e komunitetit afroamerikan, ndërsa ka insistuar se kjo nuk është çështje për flamurin amerikan.
Trumpi të premten kritikoi vendimin e Breesit për të kërkuar falje publike për komentet e tij për “mosrespektim të flamurit”, duke iu referuar lojtarëve që kanë qëndruar në gjunjë, pozitë që është bërë simbol i luftës për drejtësi racore në Shtetet e Bashkuara.