Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC (International Human Rights Commission), Elvana Shala, në kuadër të fushatës vetëdijesuese #NjëFijeDritë kundër diskriminimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka vizituar sot Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Grave në Drenas, ku është takuar me drejtoreshën e kësaj qendre, Kadire Tahiraj, dhe disa nga anëtaret e kësaj qendre.
Gjatë këtij takimi, Ambasadorja Shala është njohur nga afër me punën e kësaj qendre, dhe ka dëgjuar ankesat e tyre për diskriminimin që u është bërë atyre për 18 vite me radhë nga shoqëria dhe institucionet.
Drejtoresha ekzekutive e kësaj qendre, Kadire Tahiraj, ka njoftuar Ambasadoren Shala se nga 167 viktima të lajmëruara në këtë qendër, e cila mbulon rajonin e Skenderajt dhe Drenasit, vetëm një prej tyre ka arritur të punësohet, por për fat të keq është larguar nga puna pa ndonjë arsyetim.
Sipas saj, edhe pse kanë kaluar 18 vite nga fatkeqësia e përjetuar ato ende përballen me paragjykime, diskriminim dhe pa mbështetje të mjaftueshme institucionale.
Gjatë këtij takimi, kërkesat kryesore të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, anëtare të kësaj qendre drejtuar Ambasadores Shala ishin: ndëshkimi i krimit të ndodhur padrejtësisht mbi to, njohja dhe respektimi i të drejtave të tyre, mundësimi i qasjes së barabartë në punësim dhe krijimi i shërbimeve më të mira shëndetësore.
Duke dëgjuar kërkesat dhe përjetimet e tyre, Ambasadorja Shala premtoj se do të bashkëpunoj me të gjitha organizatat dhe institucionet relevante, në mënyrë që kërkesat e tyre të jetësohen, dhe vendi I tyre në shoqëri të jetë i barabartë.
Fushata vetëdijësuese #NjëFijeDritë e inicuar nga Ambasadorja Shala do të zgjas 10 ditë dhe ka për qëllim ngritjen e vetëdijësimit të qytetarëve të Kosovës kundër diskriminimit të kësaj kategorie, luftimin e stigmës, thyerjen e paragjykimeve, dhe integrimin e barabartë të tyre në shoqëri.