Nga 30 ditë paraburgim për tre të pandehur, sulmuan një person me boksa dore

Prishtinë | 25 Shk 2021 | 11:42 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve të pandehurve B. T., A. T. dhe A. S.

Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit pa kurrfarë shkaku e kanë goditur të dëmtuarin F. G. në mënyrë të pamëshirshme me boksa dore dhe këmbë duke treguar shkallë të lartë të disponimit kriminal ndaj integritetit trupor të të dëmtuarit në fjalë.

Po ashtu, i pandehuri B. T. në çantën e dorës ka poseduar revolen e cila edhe i është sekuestruar nga ana e policisë, ndërsa tek i A. S. është gjet shufër gome, mjet ky i përshtatshëm për marrjen e jetës ose shkaktimin e lëndimeve të rënda ndaj personit tjetër.

Me këto veprime, i pandehuri B. T., si i vetëm ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa në bashkëveprim dyshohet kanë kryer veprën penale “lëndim i rëndë trupor” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve të të pandehurve, për caktimin e masave alternative, duke konsideruar se caktimi i masës së paraburgimit krijon kushte për zhvillimin me sukses të procedurës penale. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​

Të ngjashme